Trendy

5 Maji – Ish-ushtarët e UÇK-së nderojnë dëshmorët në Komunën e Tearcës

Para 3 orë

Në shënimin e 5 Majit – Ditës së Dëshmorëve, ish ushtarët e UÇK-së kanë bërë homazhe dhe kanë nderuar të rënët për liri në Komunën e Tearcës, përcjell tetova1

Në këtë ditë përkujtimore, ata kanë kujtuar me respekt dhe mirënjohje dëshmorët e rënë gjatë luftës së fundit çlirimtare në Maqedoninë e Veriut, si dhe të gjithë ata që kanë dhënë jetën përgjatë më shumë se një shekulli në përballje me okupatorët serbo-sllavë.

“Ndonëse ndjejmë dhimbje për humbjen e bashkëluftëtarëve tanë, njëkohësisht ndjejmë edhe krenari për luftën e drejtë dhe të lavdishme që u zhvillua,” u shprehën ish ushtarët gjatë homazheve.

Aktivitete përkujtimore dhe vendosje kurorash me lule janë zhvilluar në disa vendbanime të komunës, përfshirë Nerashtin, Jazhincën, Tearcën, Sllatinën dhe Neproshtenin, ku familjarë, bashkëluftëtarë dhe qytetarë kanë bërë nderime pranë varrezave të dëshmorëve.

Të pranishmit theksuan rëndësinë e ruajtjes së kujtesës historike dhe respektimit të sakrificës së atyre që dhanë jetën për liri, duke e cilësuar 5 Majin si një ditë reflektimi dhe bashkimi kombëtar./tetova1.mk

Trending