Një marrëveshje politike me ndikim të gjerë në skenën politike është diskutuar dhe dakorduar në mbledhjen e sotme të Kryesisë dhe kryetarëve të degëve të LDK-së, të udhëhequr nga Lumir Abdixhiku.
Sipas burimeve të besueshme nga brenda këtij takimi, bëhet fjalë për një konfigurim të qartë të ndarjes së roleve në nivel shtetëror, ku Vjosa Osmani parashihet si kandidate për Presidente, ndërsa Lumir Abdixhiku do të synojë postin e Kryeministrit.
Po sipas të njëjtave burime, marrëveshja nuk kufizohet vetëm në nivel deklarativ, por shtrihet edhe në arkitekturën konkrete zgjedhore.
Ky zhvillim vjen në një moment kur skena politike në vend është në kërkim të rikonfigurimit dhe të aleancave të reja, pas një periudhe të gjatë përplasjesh dhe polarizimi. Përfshirja e Osmanit në një listë të përbashkët me LDK-në, nëse formalizohet, shënon një kthesë të rëndësishme në raportet politike ndërmjet këtyre dy figurave, të cilat në të kaluarën kanë pasur edhe distancime dhe përplasje të hapura politike.
Një marrëveshje e tillë, përveç dimensionit elektoral, bart edhe një mesazh të qartë strategjik: përpjekjen për të ndërtuar një bosht të ri politik që synon konsolidimin e pushtetit në dy prej institucioneve më të rëndësishme të vendit – Presidencën dhe Qeverinë.
Nëse ky konfigurim do të materializohet në praktikë, ai pritet të ndikojë drejtpërdrejt në balancat politike, në sjelljen e partive tjera dhe në dinamikën e zgjedhjeve të ardhshme, duke e zhvendosur fokusin nga rivaliteti klasik drejt marrëveshjeve të strukturuara për pushtet.










