Trendy

Konflikti në Lindjen e Mesme rrit çmimet e karburantit: Mijëra fluturime të anuluara në nivel global

Para 4 orë

Rritja e çmimeve të karburantit të avionëve, e nxitur nga zhvillimet në Lindjen e Mesme, ka sjellë shkurtim të ndjeshëm të fluturimeve në mbarë botën, ku janë anuluar rreth 13 mijë fluturime gjatë muajit, raportoi “Guardian”. Si rrjedhojë, rreth dy milionë vende janë hequr nga oraret e linjave ajrore.

Sipas të dhënave të kompanisë analitike “Cirium”, transportuesit po i përshtatin operacionet e tyre me kushtet e reja të tregut, pjesërisht përmes përdorimit të avionëve më të vegjël, por edhe me anulimin e plotë të linjave të caktuara.

Rënia më e madhe e numrit të fluturimeve është shënuar në aeroportet e Stambollit dhe Mynihut, ku “Turkish Airlines” dhe “Lufthansa” kanë bërë shkurtime të konsiderueshme. Transportuesi gjerman, sipas raporteve, ka reduktuar rreth 20 mijë fluturime në distancë të shkurtër.

Përkundër këtyre trendeve, disa nga linjat ajrore me kosto të ulët (low-cost), si “EasyJet” dhe “Wizz Air”, kanë njoftuar se do t’i mbajnë oraret e verës, ndonëse përballen me presion nga rritja e shpenzimeve për karburant.

Çmimi i karburantit të avionëve është rritur ndjeshëm pas zhvillimeve ushtarake në rajon dhe ndërprerjeve në furnizim, përfshirë mbylljen e Ngushticës së Hormuzit.

Ndonëse për momentin nuk ka mungesë të menjëhershme të karburantit, industria paralajmëron se vazhdimi i konfliktit mund të çojë në anulime shtesë gjatë verës. Aeroportet evropiane tashmë po përballen me rezerva të reduktuara, ndërsa pasiguria rreth dërgesave e ndërlikon edhe më tej situatën.

Sipas vlerësimeve, linjat ajrore kanë karburant të mjaftueshëm për afat të shkurtër, por stabiliteti afatgjatë i furnizimit mbetet i pasigurt.

Trending