Trendy

Skandal në Bullgari: Deputeti i dërgoi vetes letër kërcënuese për të përfituar mbrojtje shtetërore

Para 2 orë

Në opinionin publik në Bullgari është rihapur debati për mënyrën se si u jepet mbrojtja shtetërore politikanëve, pasi krimineli Ivan Savov, gjatë një paraqitjeje televizive, bëri një pretendim lidhur me një ngjarje të vitit 2015 që, nëse rezulton e vërtetë, do të tregonte për një keqpërdorim serioz të sistemit, shkruan bulevar.mk, përcjell tetova1

Sipas pretendimeve të tij, një deputet i atëhershëm dyshohet se ia kishte dërguar vetes një letër kërcënuese, me qëllim që të krijonte bazë për të përfituar mbrojtje zyrtare nga shërbimet shtetërore të sigurisë. Savov këtë rast e përmendi si shembull se si mekanizmat institucionalë mund të keqpërdoren për interesa personale ose politike.

Në të njëjtin diskutim u kritikua edhe puna e Shërbimit Kombëtar të Sigurisë (NSO) në Bullgari, ku u theksua se institucioni, në vend që t’i përmbahet rreptësisht misionit të tij bazë, në disa raste është shndërruar në një servis për elitën politike.

Ekspertë të sigurisë theksuan gjithashtu se shërbimi është i ngarkuar me detyra që tejkalojnë kompetencat e tij themelore. Mes shembujve të përmendur ishte angazhimi i zyrtarëve në aktivitete private të funksionarëve, si organizimi i transportit për anëtarët e familjeve të tyre apo kryerja e obligimeve personale.

Sipas kritikëve, kjo praktikë jo vetëm që dëmton rolin profesional të shërbimit, por krijon edhe hapësirë për zhvlerësim dhe keqpërdorim të tij, përfshirë edhe politikat kadrovike, ku pretendohet se avancimet ndonjëherë kanë qenë të lidhura me kryerjen e detyrave të papërshtatshme.

Në debat u përmend gjithashtu se rrethi i personave që përfitojnë sigurim shtetëror është më i gjerë sesa nevoja reale, duke ngritur pyetjen nëse resurset po orientohen drejt funksioneve dhe pozicioneve vërtet kritike shtetërore.

Si krahasim me praktikat evropiane, u theksua se në disa vende të Evropës Perëndimore mbrojtja e funksionarëve shtetërorë është e integruar brenda strukturave të rregullta policore, në vend që të ekzistojnë shërbime të veçanta të specializuara vetëm për këtë qëllim.

Ekspertët përfunduan se ndryshimet e shpeshta në udhëheqjen e institucioneve të sigurisë ndikojnë negativisht në stabilitetin dhe konsistencën e tyre, gjë që, sipas tyre, reflektohet edhe në efikasitetin dhe pavarësinë e këtyre institucioneve./tetova1.mk

Trending