Teksa lufta mes SHBA-ve, Izraelit dhe Iranit ka tronditur tregjet globale dhe ka rritur kostot për familjet dhe bizneset në mbarë botën, disa nga kompanitë më të mëdha ndërkombëtare po raportojnë fitime rekord.
Përshkallëzimi i konfliktit dhe bllokimi de facto i ngushticës së Hormuzit, nga ku kalon rreth 20% e naftës dhe gazit në botë, ka shkaktuar luhatje të forta në tregjet energjetike, financiare dhe industriale – dhe për disa sektorë kjo është kthyer në një “minierë ari”.
Nafta dhe gazi, fituesit më të mëdhenj
Gjigantët evropianë të energjisë janë ndër përfituesit kryesorë. BP ka më shumë se dyfishuar fitimet në tremujorin e parë, duke arritur në 3.2 miliardë dollarë, ndërsa Shell plc. raportoi 6.92 miliardë dollarë fitim, mbi pritshmëritë e tregut. Edhe TotalEnergies regjistroi rritje të fortë, me 5.4 miliardë dollarë fitim.
Bankat po fitojnë nga paniku i tregjeve
Edhe sektori financiar po përfiton nga paqëndrueshmëria. JPMorgan Chase raportoi të ardhura rekord prej 11.6 miliardë dollarësh vetëm nga tregtimi financiar në tremujorin e parë të vitit.
Bashkë me bankat e tjera të mëdha amerikane si Goldman Sachs, Morgan Stanley dhe Citigroup, sektori bankar ka përfituar nga volumi i lartë i transaksioneve dhe lëvizjet e forta të kapitalit.
Industria ushtarake, përfituesja klasike e luftës
Si në çdo konflikt, industria e mbrojtjes mbetet një nga përfitueset më të menjëhershme. BAE Systems, Lockheed Martin, Boeing dhe Northrop Grumman raportojnë porosi rekord, ndërsa qeveritë po rrisin investimet në mbrojtje dhe rimbushjen e arsenaleve.
Energjia e rinovueshme po fiton terren
Paradoksalisht, lufta po shtyn edhe investimet në energji të pastër. Kompani si NextEra Energy, Vestas dhe Ørsted kanë raportuar rritje të forta, pasi pasiguria energjetike po shtyn investitorët drejt alternativave më të qëndrueshme.
Në thelb, ndërsa lufta rrit faturat e energjisë, kostot e transportit dhe pasigurinë ekonomike për qytetarët, për korporatat e mëdha ajo po shndërrohet në një burim të jashtëzakonshëm fitimesh – duke rikthyer debatin global mbi fenomenin e “fitimeve të luftës”.










