“New York Times”: Moska po krijon një korridor të ri strategjik për të shmangur Hormuzin dhe sanksionet perëndimore
Rusia po furnizon fshehtazi Iranin me pjesë për dronë përmes Detit Kaspik, duke krijuar një korridor të ri strategjik tregtar dhe ushtarak që shmang Ngushticën e Hormuzit dhe presionin e sanksioneve ndërkombëtare. Zbulimi vjen nga një raport i “New York Times”, i bazuar në informacione të zyrtarëve amerikanë.
Sipas raportit, kjo rrugë po i lejon Teheranit të rikuperojë me shpejtësi humbjet ushtarake të shkaktuara nga sulmet e fundit amerikane dhe izraelite, veçanërisht në flotën e dronëve.
Burime amerikane, që folën në kushte anonimiteti, thonë se Deti Kaspik është kthyer në një arterie kyçe bashkëpunimi mes Rusisë dhe Iranit. Përmes kësaj rruge transportohen jo vetëm komponentë ushtarakë, por edhe mallra të tjera strategjike, larg vëmendjes së kontrollit perëndimor.
Sipas vlerësimeve amerikane, Irani ka humbur rreth 60 për qind të flotës së tij të dronëve pas bombardimeve të fundit nga SHBA-ja dhe Izraeli. Për këtë arsye, furnizimet ruse konsiderohen jetike për rindërtimin e kapaciteteve ushtarake iraniane dhe rikthimin e shpejtë të aftësisë operacionale të dronëve.
Përtej aspektit ushtarak, Deti Kaspik po merr një rëndësi të re edhe në tregtinë rajonale. Me Ngushticën e Hormuzit të mbyllur për shkak të tensioneve mes Uashingtonit dhe Teheranit, shumë mallra që zakonisht kalonin nga Gjiri Persik po ridrejtohen përmes korridorit kaspik. Raporti përmend transporte me drithëra, ushqim për kafshë, vaj luledielli dhe produkte të tjera bazë.










