Qeveria e Serbisë financon me para nga buxheti i shtetit Shoqatën e Veteranëve të Beretave të Kuqe – një organizatë që mbledh ish-anëtarë të njësisë speciale të shpërbërë të Sigurimit Shtetëror të Serbisë.
Disa prej pjesëtarëve të kësaj njësie kanë marrë pjesë në krime lufte dhe janë dënuar për likuidimin e kundërshtarëve politikë.
Sipas një analize të Shërbimit të Ballkanit të Radios Evropa e Lirë, vetëm përmes konkurseve të Ministrisë së Punës, Punësimit, Çështjeve të Veteranëve dhe Sociale të Serbisë, kësaj shoqate i janë ndarë 23.000 euro në dy vjetët e fundit.
Shoqata e Veteranëve të Beretave të Kuqe ka marrë fonde në të gjitha konkurset nga fusha e mbrojtjes së veteranëve, të realizuara nga Ministria e Punës që nga momenti kur në krye të saj është emëruar Millica Gjurgjeviq Stamenkovski.
Gjurgjeviq Stamenkovski është kryetare e partisë së ekstremit të djathtë “Zavetnici” dhe është bërë pjesë e pushtetit në Serbi në vitin 2024, edhe pse partia e saj nuk e ka kaluar pragun zgjedhor në zgjedhjet e asaj kohe.
Ministria e Punës nuk iu përgjigj pyetjeve të Radios Evropa e Lirë se për çfarë konkretisht janë shpenzuar mjetet e ndara dhe cili është interesi publik për financimin e projekteve të Shoqatës së Veteranëve të Beretave të Kuqe me para të buxhetit.
Përgjigje nuk dha as Shoqata e Veteranëve të Beretave të Kuqe.
“Kur e merr një njësi të tillë dhe prej saj nxjerr heronj, ndërkohë që dihet ‘rruga e saj e luftës’, njeriu duhet ta pyesë veten se çfarë vlerash promovon ky pushtet”, thotë për Radion Evropa e Lirë Filip Shvarm, kryeredaktor i së përjavshmes serbe “Vreme” dhe autor i një dokumentari për Njësinë për Operacione Speciale.
Kush ishin Beretat e Kuqe?
Njësia për Operacione Speciale, e njohur më mirë si Beretat e Kuqe, u themelua nga Shërbimi i Sigurimit Shtetëror të Serbisë, i drejtuar nga Jovica Stanishiq – një nga bashkëpunëtorët më të afërt të presidentit të atëhershëm të Jugosllavisë, Sllobodan Millosheviq.
Krahu i tij i djathtë ishte Franko Simatoviq.
Stanishiq dhe Simatoviq u dënuan në Hagë në vitin 2023 me nga 15 vjet burg për mbështetje dhe ndihmë në krime lufte në Bosnje e Hercegovinë, në vitin 1992.
Njësia për Operacione Speciale, me këtë emër, mori pjesë edhe në luftën në Kosovë gjatë viteve 1998-1999.
Në atë kohë, Simatoviq e emëroi Millorad Ulemekun, i njohur si Legija, komandant të saj.
Njësia u shpërbë në vitin 2003 gjatë operacionit policor “Sablja”.










