Trendy

Mickoski për protestën e studentëve: Shumë shpejt do të dalim me propozim-zgjidhje

Para 1 muaj

Kryeministri Hristijan Mickoskideklaroi se Qeveria po punon për zgjidhje lidhur me kërkesën e studentëve shqiptarë që provimi i jurisprudencës të mbahet edhe në gjuhën shqipe, ndërsa paralajmëroi se së shpejti do të dalin me një propozim konkret, transmeton Portalb.mk.

“Bëhet fjalë për një çështje mbi të cilën po punojmë si qeveri. Besoj se shumë shpejt do të dalim me një propozim-zgjidhje, i cili do të jetë në përputhje me rekomandimet e Komisionit të Venecias dhe standardet ndërkombëtare. Prandaj, u bëj thirrje të gjithë pjesëmarrësve në këtë proces që të bëjnë durim”, tha Mickoski.

Ai shtoi se, sipas tij,ekzistojnë forca politike që synojnë të nxisin tensione dhe protesta, në vend që të kontribuojnë në reforma dhe progres institucional.

Deklarata e kryeministrit vjen në kohën kur studentët shqiptarë kanë paralajmëruar protestë të re më 18 maj, duke kërkuar që provimi i jurisprudencës të mundësohet në gjuhën shqipe.

Protesta organizohet me moton “Bashkohuni me studentët – të gjithë një zëri”, ndërsa organizatorët thonë se qëllimi është mbrojtja e të drejtës për përdorimin e gjuhës shqipe në provimet profesionale. Njëri nga nismëtarët e protestës, Mevlan Ademi,përmes një postimi në rrjetet sociale bëri thirrje për mobilizim masiv me mesazhin: “Si të parët tanë për këtë amanet!”.

Kjo protestë vjen pas protestës së 6 prillit në Shkup, ku mijëra studentë dhe qytetarë shqiptarë kërkuan respektimin e të drejtave gjuhësore dhe mundësimin e provimit në gjuhën shqipe.

Kronologjia e ngjarjes

Çështja e provimit të jurisprudencës në gjuhën shqipe po përcillet me bujë të madhe periudhën e fundit pasi 385 studentë shqiptarë nga tre fakultete të juridikut (UT, UEJL, UNT) në Maqedoninë e Veriut përmes një peticioni kërkuan nga institucionet që provimi i jurisprudencës të jepet edhe në gjuhën shqipe, në gjuhën në të cilën i kryejnë studimet, pasi siç thonë, u takon me ligj.

Në Ligjin për Provimin e Jurisprudencës nuk ekziston dispozitë ligjore në të cilin thuhet se ky provim mund të mbahet vetëm në gjuhë maqedonase.

Ndërkaq, neni 2 i Ligjit për Përdorimin e Gjuhëve thotë se “institucionet e qeverisjes shtetërore duhet të mundësojnë përdorim të gjuhëve tjera zyrtare të cilat fliten nga më së paku 20% e qytetarëve”, që është gjuha shqipe.

Neni 2 dhe neni 5 i këtij ligji thotë se “institucionet janë të obliguara të mundësojnë përdorim të gjuhës shqipe në të gjitha procedurat para gjykatave dhe organeve tjera shtetërore”. Kjo do të thotë se në qoftë se ligji për provimin e jurisprudencës nuk e kufizon dhënien e këtij provimi vetëm në gjuhën maqedone, duhet të mundësohet edhe në gjuhën shqipe.

Por kjo kërkesë deri tani ka hasur në vesh të shurdhër.

Ministria e Drejtësisë me në krye Igor Fillov vazhdimisht ka insistuar se provimi i jurisprudencës nuk mund të mbahet në gjuhën shqipe pavarësisht Ligjit për përdorimin e gjuhëve. Ndërsa inspektimin e Inspektoratit për Përdorimin e Gjuhëve e kanë quajtur si presion.

Në ndërkohë, Inspektorati për Përdorimin e Gjuhëve pas mbikëqyrjes së jashtëzakonshme ia tërhoqi vërejtjen Ministrisë së Drejtësisë në krye me Igor Fillkovin se nuk e kanë mundësuar dhënien e provimit të jurisprudencës në gjuhën shqipe pavarësisht detyrimit ligjor dhe kushtetues.

Ministria e Drejtësisë nuk e ka ndërmend t’i zbatojë rekomandimet, por parashtroi ankesë ndaj këtij vendimi.

Edhe Avokati i Popullit përmes lëndës që e hapi për këtë çështje, doli me propozim konkret për Qeverinë ku i kërkon që përmes ministrisë së Drejtësisë, të fillojë procedurë për ndryshimin tre ligjeve: Jurisprudencës, Noterinë dhe Përmbarimin, që të njëjtat të harmonizohen me Ligjin për përdorimin e gjuhëve, që ky provim të jepet edhe në shqip.

Ministria e Drejtësisë i tha Portalbit se i ka dorëzuar përgjigje Avokatit të Popullit, në të cilën është shpjeguar në detaje procedura për dhënien e provimit të jurisprudencës, dhe se provimi i jurisprudencës është provim profesional dhe jo procedurë administrative.

Kryeministri Hristijan Mickoski edhe pse pati deklaruar se studentëve duhet t’u mundësohet provimi edhe në shqip, pastaj tha se Ligji aktual nuk e lejon provimin e jurisprudencës në shqip dhe se është i gatshëm ta rregullojnë, por vendimin do ta japë Komisioni i Venedikut. Më 4 mars në Kuvend premtoi se do të bëhen ndryshime ligjore që provimi të mbahet edhe në gjuhën shqipe.

Opozita shqiptare fillimisht dorëzoi propozim-ligji me të cilin propozuan që provimi i jurisprudencës të jepet edhe në gjuhën shqipe, por më pas e tërhoqën me arsyetimin se duhet vetëm të zbatohet Ligji për përdorimin e gjuhëve. Opozita shqiptare dorëzoi në Kuvend edhe rezolutë.

Ekspertët dhe shoqëria civile kanë vlerësuar se provimi në shqip nuk përbën rrezik dhe duhet të reflektojë realitetin demografik.

Kujtojmë se Propozim-ligj i cili do të mundësonte dhënien e provimit të jurisprudencës në gjuhën shqipe ishte gati në vitin 2024 nga Ministria e Drejtësisë, por me ndryshimin e përbërjes parlamentare dhe qeverisë së re, e njëjta u hoq nga agjenda e kuvendit dhe s’u përmend fare nga qeveria aktuale.

Ligji për Zbatimin e Gjuhëve ka hyrë në fuqi në vitin 2019, nga atëherë janë ndërruar katër ministra të drejtësisë, edhe atë Bojan Mariçiq, Nikolla Tupançevski, Krenar Lloga dhe aktualisht është Igor Filkov. Në vitet paraprake edhe kur s’ka pasur ministër shqiptar, zëvendësi ka qenë i përkatësisë shqiptare.

Trending