Trendy

Shqiptarët “shpëtojnë” statistikat e martesave

Para 3 orë

Maqedonia renditet si një nga vendet evropiane ku numri i martesave qëndron i lartë, krahasuar edhe me vendet e tjera por edhe rajonin, pas Kosovës dhe Shqipërisë. Por trajektorja në rënie e martesave gjatë dekadave është më e fortë në Maqedoni, sipas një raporti të Komisionit Evropian, që i referohet një periudhe 1964-2024.

Nëse shkalla e martesave gjashtë dekada më parë ishte 9.1 në një mijë banorë, në vitin 2024 ka rënë në 6.1 martesa në një mijë banorë (11066 martesa). Nga të dhënat e Entit të Statistikave (ESHS), diferencën në Maqedoni e bëjnë shqiptarët, ku shkalla e martesave në rajonin e Pollogut, është më e larta – mbi 7.5 martesa në një mijë banorë. Rëniet më të thella të martesave fillojnë në fillimvitet 1990 (8.3 martesa) për të vijuar me ulje në vitin 2000 (7 martesa në një mijë banorë) me uljen më të fortë në vitin 2020 (5 martesa në njëmijë banorë).

Në periudhën 2021 – 2024 martesat janë luhatur në rënie – ngritje). Sipas ESHS-së periudha 2014-2024 në total ka shënuar një ulje të numrit të kurorëzimeve me rreth 20 për qind. Nga ana tjetër Maqedonia nga një shkallë divorcesh prej 0.4 për qind në vitin 1964, nga më të ultat, e ka dyfishuar në vite, kulmi arriti në 2010 (0.8 martesa)  duke arritur në 1.1 divorce në vitin 2024. Nëse shkalla e martesave vazhdon të ulet, divorcet rriten çdo vit. Sa i takon rajonit, raporti e rendit Shqipërinë 6.8 martesa për një mijë banorë, si vendi me shkallën më të lartë. Në këtë raport nuk është përfshirë Kosova, e cila po ashtu ka një normë të lartë martesash, mbi 10 martesa në një mijë banorë.

Sipas raporti të KË-së,  në BE u realizuan rreth 1.7 milion martesa dhe rreth 0,7 milion divorce në vitin 2024. Në raport me popullsinë, këto shifra janë 3.9 martesa për çdo një mijë banorë dhe 1,6 divorce për çdo një mijë banorë.

“Që nga viti 1964, shkalla bruto e martesave në BE ka rënë me më shumë se 50 për qind, nga 8 në 3.9 martesa. Trendi në rënie u ndërpre nga disa pika të ndërmjetme. Rënia e konsiderueshme e vërejtur midis vitit 2019 dhe vitit 2020 në shkallën bruto të martesave mund të interpretohet si një efekt i pandemisë COVID-19. Gjatë së njëjtës periudhë të zgjatur, shkalla bruto e divorceve është dyfishuar në thelb, duke u rritur nga 0.8 për 1 000 persona në vitin 1964 në 1.6 në vitin 2024. Shkalla e divorceve arriti kulmin në vitin 2006, një pjesë e kësaj rritjeje mund të jetë për shkak të faktit se divorci u legalizua në disa vende të BE-së gjatë kësaj periudhe. Megjithatë, rënia në shkallën bruto të divorceve ishte shumë më pak e theksuar sesa ajo e vërejtur për shkallën bruto të martesave”, thuhet në raport. (koha.mk)

Trending