Zëvendëskryetari i Komunës së Tetovës, Albi Qamili, i shoqëruar nga udhëheqësi i Sektorit për Zhvillim Ekonomik Lokal, Elmi Osmani, si dhe shefi i kabinetit të kryetarit të Tetovës, Basri Mehmedalija, morën pjesë në konferencën “Aleanca e Kryetarëve të Gjelbër”, e cila po zhvillohet në Durrës.
Në sesionin e parë të konferencës u debatua për “Punëtorinë Teknike të Aleancës së Kryetarëve të Gjelbër”, ku u identifikuan fushat kryesore të bashkëpunimit dhe sfidat që komunat duhet t’i tejkalojnë së bashku për të ndërtuar komuna më të gjelbra dhe më të qëndrueshme.
Qëllimi i konferencës ishte bashkërendimi i aktiviteteve dhe krijimi i një strategjie të përbashkët drejt zhvillimit të komunave të gjelbra. Në kuadër të diskutimeve, pjesëmarrësit u informuan për mundësitë e financimit dhe mënyrat se si komunat mund të përgatisin projekte më të fuqishme dhe konkurruese. Gjithashtu u prezantua edhe zgjidhja inovative dixhitale “Balkan AI Tool”, e cila synon të mbështesë këtë proces.
Në konferencë u diskutua edhe për modelin e qeverisjes së Aleancës, përfshirë mekanizmat e koordinimit, përcaktimin e roleve dhe përgjegjësive, si dhe strukturat e komunikimit ndërmjet komunave pjesëmarrëse. Theks i veçantë iu dha parimeve të transparencës, pjesëmarrjes, llogaridhënies dhe pronësisë komunale.
Nga Komuna e Tetovës theksojnë se tashmë janë pjesë e këtij rrjeti rajonal dhe se së shpejti Tetova synon të radhitet në mesin e komunave të gjelbra, duke pasur parasysh projektet që tashmë po realizohen për mbrojtjen dhe ruajtjen e mjedisit jetësor.










