Sipas Athinës zyrtare, kufijtë tanë detarë janë edhe kufij evropianë dhe e drejta e detit zbatohet për të gjithë…
Greqia i kërkoi të premten Bashkimit Evropian të ndërhyjë për atë që Athina e cilëson si peshkim të paligjshëm dhe shkelje të së drejtës detare nga peshkatarët turq.
“Ne i kërkojmë Bashkimit Evropian të ndërhyjë”, tha ministri grek i Transportit Detar, Vasilis Kikilias, duke shtuar se “kufijtë tanë detarë janë edhe kufij evropianë dhe e drejta e detit zbatohet për të gjithë”.
Kikilias e ngriti çështjen gjatë një takimi në Athinë me komisionerin evropian për Peshkimin dhe Oqeanet, Costas Kadis. Ai foli për “sjelljen provokuese të fqinjëve tanë turq lidhur me peshkimin e paligjshëm, mosrespektimin e së drejtës së detit dhe vënien në pikëpyetje të të drejtave sovrane”.
Greqia dhe Turqia, ndonëse aleate në NATO, kanë mosmarrëveshje prej dekadash për një sërë çështjesh dypalëshe, përfshirë kufijtë detarë, pretendimet e mbivendosura mbi shelfin kontinental dhe çështjen e Qipros.
Athina ka përcaktuar zona të kufizuara peshkimi në Detin Egje, disa prej të cilave Turqia i kundërshton, duke argumentuar se nuk janë nën juridiksionin grek. Greqia ka protestuar gjithashtu kundër një plani hapësinor detar turk, i cili përcakton zona peshkimi në Egje.
Sipas Athinës, në disa raste anijet turke të peshkimit kanë vepruar në zona që Greqia i konsideron ujëra territoriale ose hapësira nën juridiksionin e saj, ndonjëherë në prani të anijeve të rojes bregdetare turke.










