Kryetari i Këshillit Komunal të Çairit nga radhët e VLEN-it, Muhamet Murtezi, përmes një reagimi publik ka deklaruar se studentët janë plotësisht në të drejtën e tyre dhe se institucionet aktuale duhet të gjejnë zgjidhje për kërkesat dhe problemet me të cilat ata përballen. Në reagimin e tij, Murtezi ka bërë dallimin mes, siç i quan ai, “të djeshmëve” dhe “të sotmëve”, duke akuzuar ish-qeverisjet se e kanë lënë gjendjen aktuale dhe tani po tentojnë të rikthehen politikisht “në kurriz të studentëve”.
Ai thekson se përgjegjësia tashmë bie mbi ata që janë në pushtet dhe se nuk guxojnë të ndalen në realizimin e obligimeve që kanë marrë përsipër. “Besoj fuqishëm se në këtë rrugëtim e sotmja do të jetë më e mirë dhe më e suksesshme se e djeshmja, pavarësisht shpifjeve, kurtheve, sfidave dhe pengesave”, ka shkruar Murtezi. Sipas tij, për të arritur ndryshimet e nevojshme nuk do të duhen “dy dekada të plota”, duke aluduar në periudhën e gjatë të qeverisjeve të kaluara.










