Dronët që shënjestruan centralin bërthamor “Barakah’ në Emiratet e Bashkuara Arabe erdhën të gjithë nga Iraku.
Kështu pretendon Ministria e Mbrojtjes e Emirateve, duke sinjalizuar se sulmi ka të ngjarë të jetë kryer nga milicitë shiite irakiane, të mbështetura nga Irani.
Këto formacione, siç shkruan AP, kanë kryer vazhdimisht sulme me dronë ndaj shteteve arabe të Gjirit që kur Izraeli dhe Shtetet e Bashkuara nisën luftën kundër Iranit më 28 shkurt. Në të kaluarën, këto milici i kanë shërbyer shumë Iranit për të shmangur përgjegjësinë direkte për sulme të tilla.
Nuk u raportuan të lënduar apo rrjedhje radioaktive në centralin “Barakah” pas sulmit, për të cilin zyrtarët emiratas thanë se goditi një gjenerator në perimetrin e objektit.
Pavarësisht pretendimit të Emirateve asnjë grup nuk e ka marrë përgjegjësinë për sulmin, megjithëse dyshimet kanë rënë mbi Iranin dhe grupet aleate të tij.
Zëdhënësi i qeverisë irakiane, Bassem al-Awadi, pa iu referuar drejtpërdrejt raportit të Ministrisë së Mbrojtjes së Emirateve, deklaroi se Bagdadi “dënon fuqishëm sulmet e fundit me dronë që kanë shënjestruar Emiratet e Bashkuara Arabe”.
“Gjithashtu theksojmë rëndësinë e bashkëpunimit efektiv rajonal dhe ndërkombëtar për të parandaluar çdo përshkallëzim apo dëmtim të stabilitetit të rajonit, apo cenim të sigurisë dhe sovranitetit të vendeve mike dhe vëllazërore”, shtoi al-Awadi, raporton AP, përcjellë KosovaPress.
Ministria e Mbrojtjes e Emirateve njoftoi gjithashtu se gjatë dy ditëve të fundit janë identifikuar edhe tre dronë të tjerë që kishin në shënjestër vendin, pa dhënë detaje për objektivat e tyre.
Centrali bërthamor “Barakah”, me vlerë 20 miliardë dollarë, u ndërtua nga Emiratet me ndihmën e Koresë së Jugut dhe hyri në funksion në vitin 2020. Ai është centrali i vetëm bërthamor në botën arabe dhe mund të mbulojë rreth një të katërtën e nevojave energjetike të Emirateve të Bashkuara Arabe, një lloj shteti federative që përbëhet nga shtatë emirate ku bën pjesë edhe Dubai.










