Trendy

Meidani do të shkarkohet si ambasador? Ja reagimi i Ministrisë së Punve të Jashtme të Shqipërisë

Para 4 orë

Zëdhënësi për Evropën dhe Punët e Jashtme ka reaguar lidhur me raportimet dhe komentet mediatike për lëvizjet diplomatike në Shërbimin e Jashtëm veçanërisht për lëvizjen e mundshme të Denion Meidanit, Ambasadorit të Shqipërisë në Maqedoninë e Veriut. Përmes një deklarate, Ministria e Punëve të Jashtme thekson se çdo vendimmarrje për emërimet apo lëvizjet diplomatike bëhet në përputhje me legjislacionin në fuqi, rregullat e brendshme dhe praktikat diplomatike të konsoliduara. Në deklaratë theksohen se këto procese bazohen në analiza profesionale dhe institucionale, me synim përdorimin sa më efikas të burimeve njerëzore dhe në funksion të prioriteteve të politikës së jashtme të Shqipërisë.

Sipas lajmeve që qarkulluan një ditë më parë, u pretendua se vendimi për shkarkimin e tij lidhet me pakënaqësitë e shprehura nga faktorë politikë të koalicionit shqiptar VLEN dhe nga VMRO-DPMNE, të cilët kanë kundërshtuar qëndrimet publike të Meidanit në debatet politike që kanë përfshirë të drejtat e shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut.

Një nga çështjet që ka shkaktuar më shumë reagime ka qenë debati për përdorimin e gjuhës shqipe, ku diplomati shqiptar është perceptuar si mbështetës i kërkesave dhe shqetësimeve të studentëve dhe komunitetit shqiptar në vend.

Njoftimi i plotë:

Lëvizjet diplomatike, përfshirë ato në nivelin e Titullarit të Përfaqësisë, realizohen gjithmonë në përputhje me legjislacionin në fuqi, kuadrin e brendshëm rregullator për Shërbimin e Jashtëm, si dhe me praktikat e konsoliduara diplomatike.

Këto procese mbështeten mbi analiza profesionale dhe institucionale, duke pasur si objektiv përdorimin sa më efikas të burimeve njerëzore, në përputhje me prioritetet e politikës së jashtme të Republikës së Shqipërisë. Vendimmarrja përkatëse përfshin koordinimin dhe konsultimin me institucionet përgjegjëse shtetërore.

Komentet dhe pasqyrimet në media nuk pasqyrojnë realitetin, aq më pak procesin institucional që ndiqet në raste të tilla.

Në mënyrë të veçantë, hamendësimet apo interpretimet e paraqitura si fakte janë tërësisht të pabazuara dhe nuk meritojnë vëmendje të mëtejshme.

Trending