Më 24 qershor Maqedonia e Veriut bëhet anëtare e sistemeve evropiane shëndetësore, pasi siç bëri të ditur ministri i Shëndetësisë, Azir Aliu, vendi do të jetë anëtare e plotfuqishme e programit më të madh evropian “BE për Shëndetin”, me buxhet operacional prej 4.4 miliardë eurosh.
Nga ky program, sipas Aliut, sektori i shëndetësisë përveç fondeve do të përfitojë edhe në aspektin e ekspertizës.
“Sistemi shëndetësor i Maqedonisë hyn në programin “BE për Shëndetin”, një nga programet më të mëdha apo programi më i madh i BE-së, në të cilin ne do të kemi të drejtë të marrim fonde të marrim kapacitete dhe ekspertiza njerëzore, me qëllim që t’i zgjidhim të gjitha problemet që i kemi definuar në shëndetësi. Kjo na jep një forcë që më shpejt të bëjmë transportimin në shëndetësi në shtetin tonë.”, – deklaroi ministër i Shëndetësisë, Azir Aliu.
Kjo, sipas ministrit Aliu, nënkupton hapjen e një dere evropiane në shëndetësi për institucionet shëndetësore, komunitetin akademik, organizatat profesionale dhe shoqatat e pacientëve.
Aliu: Mungoi strategjia për zhvillimin e shëndetësisë
Duke filluar rreth punës së tij njëvjeçare, në drejtimin e Ministrisë së Shëndetësisë, Aliu tha se prej 30 vitesh ka munguar strategjia nacionale për zhvillimin e sistemit shëndetësor, prandaj përballet me mungesën e kapaciteteve njërzore.
“Sot nuk mund të them se në shëndetësi nuk ka mungesë të kuadrit, motrave medicinale dhe mjekëve, por ju garantoj se bashkë me MASh-in, ne projektojmë kapacitete njerëzore për 10 vjet në shëndetësi.”,– theksoi ministri i Shëndetësisë, Azir Aliu.
Ministri Aliu njëherësh premtoi zgjidhjen e statusit të dhjetëra punonjësve në Klinikën e Fëmijëve në Shkup, të cilët ditë më parë protestuan para Ministrisë së Financave për zgjidhjen e statusit të tyre dhe pagesën e rrogave të prapambetura. /TVM2










