Drejtoria e Policisë Financiare ka ngritur kallëzime penale ndaj pesë personave fizikë dhe dy personave juridikë, nën dyshimin për keqpërdorim të mjeteve nga fondet evropiane dhe përfitim të kundërligjshëm të pasurisë në vlerë prej mbi 50 milionë denarësh.
Kallëzimet janë dorëzuar në Prokurorinë Themelore Publike për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit, si dhe në Prokurorinë Themelore Publike Shkup. Të dyshuar janë dy inxhinierë mbikëqyrës, si dhe tre pronarë dhe menaxherë të dy kompanive, ndërsa procedurë është iniciuar edhe ndaj vetë subjekteve juridike.
Sipas Policisë Financiare, inxhinierët mbikëqyrës kanë kryer kontroll teknik të objekteve dhe kanë përgatitur raporte përfundimtare me përmbajtje të rreme, edhe pse objektet nuk kanë qenë plotësisht të përfunduara. Me këto dokumente, është mundësuar regjistrimi i tyre në Agjencinë e Kadastrës së Patundshmërive.
Autoritetet po vazhdojnë hetimet për zbardhjen e plotë të rastit dhe përgjegjësinë e të përfshirëve.
Trending










