Zëvendësministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Ekonomisë së Ujërave, Albrim Hoxha, së bashku me kryetarin e Komunës së Bogovinës, Feti Abazi, inspektuan punimet për pastrimin e kanaleve të ujitjes në territorin e komunës, përcjell tetova1
Punimet realizohen nga SHA Ekonomia e Ujërave, ndërsa në mbështetje të këtij aktiviteti është angazhuar edhe Komuna e Bogovinës, e cila ka vënë në dispozicion mekanizim, punëtorë dhe mjete përmes ndërmarrjes komunale.
Gjatë vizitës, zëvendësministri Hoxha theksoi se mirëmbajtja e rregullt e rrjetit të ujitjes është një nga parakushtet për një sezon të suksesshëm bujqësor dhe për furnizim të qëndrueshëm të tokave me ujë.
“Ky është një shembull i mirë se si bashkëpunimi mes institucioneve qendrore dhe pushtetit lokal sjell rezultate konkrete për qytetarët. Falënderoj kryetarin Feti Abazi për përkushtimin dhe mbështetjen konkrete në realizimin e këtyre punimeve. Vetëm me koordinim dhe angazhim të përbashkët mund të ndërtojmë një sistem ujitjeje më funksional dhe mbështetje më të madhe për fermerët”, deklaroi Hoxha.
Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Ekonomisë së Ujërave do të vazhdojë bashkëpunimin me komunat në realizimin e aktiviteteve që kontribuojnë në përmirësimin e infrastrukturës ujore dhe krijimin e kushteve më të mira për zhvillimin e bujqësisë./tetova1.mk














