Në tragjedinë e rëndë në një Qendër për nëna dhe fëmijë, në qytetin Stade të Gjermanisë, ka vdekur edhe viktima e gjashtë, në spital, nga pasojat e sulmit me armë zjarri.
Në qytetin Stade të landit Niedersachsen, në një institucion social për nëna të reja dhe fëmijët e tyre, janë dëgjuar papritur të shtëna me armë zjarri. Në vend janë vrarë pesë persona, ndërsa një person tjetër ka ndërruar jetë në spital, pasi nuk përballoi plagët e marra nga armët e zjarrit.
Të gjithë viktimat janë të rritur, përfshirë edhe disa gra, ndërkohë që ka dhe të plagosur të tjerë, disa prej tyre në gjendje të rëndë.
Sulmi ka ndodhur në një qendër sociale që ofron strehim dhe përkujdesje për nëna të reja dhe gra shtatzëna me fëmijët e tyre – një vend që në parim duhet të jetë simbol sigurie dhe mbrojtjeje.
Policia ka arrestuar, siç njoftohet, tre persona deri tani. Dyshohet se ndër ta është edhe autori i dyshuar i vrasjeve. Deri tani nuk dihet origjina e personave të vrarë e plagosur, si dhe të arrestuarve.
Autoritet thonë se nuk ka rrezik për sulme të tjera, por shumëçka mbetet e paqartë ende. Edhe motivi i sulmit mbetet i paqartë. Hetimet po vazhdojnë. Autoritetet paralajmërojnë që të mos përhapen lajme të rreme, ndaj edhe ne do të heshtim tani për tani lidhur me spekulimet e përhapura në opinion.
Por fakt është që kjo tragjedi e rëndë rikthen në vëmendje çështjen e sigurisë edhe në vendet që konsiderohen gjoja të sigurta për nënat me fëmijët e tyre.









