Me një mesazh të gjatë publik, ish-ministri Fatmir Limani deklaroi se angazhimi i tij politik dhe institucional do të vazhdojë edhe në të ardhmen, duke theksuar se misioni i tij mbetet shërbimi ndaj qytetarëve, veçanërisht ndaj të rinjve informon Tetovasot.
Në postimin e titulluar “Misioni vazhdon”, Limani vlerëson se funksionet publike janë të përkohshme, ndërsa përgjegjësia ndaj qytetarëve është e përhershme. Ai thekson se politika nuk duhet të jetë mjet për përfitime personale, por një shërbim ndaj popullit dhe shtetit.
Duke iu referuar periudhës së drejtimit të Ministrisë për Politikë Sociale, Demografi dhe Rini, Limani rendit një sërë arritjesh, mes të cilave mbi 1.300 punësime në institucionet nën kompetencën e ministrisë, rritjen e pagave për punonjësit e qendrave për punë sociale dhe administratës, avancime në pozita udhëheqëse, si dhe ndryshime ligjore që mundësojnë licencimin në gjuhën shqipe për profesionistët e sistemit të mbrojtjes së fëmijëve.
Ai përmend gjithashtu investimet në ndërtimin e kopshteve të reja për fëmijë në disa komuna, projektet për zgjerimin e kapaciteteve të çerdheve, si dhe reformat në sistemin pensional dhe atë të mbrojtjes sociale.
Në mesazhin e tij, Limani flet edhe për sfidat politike, duke theksuar se është përballur me kundërshtime dhe sulme, por se ato nuk do ta ndalin në rrugëtimin e tij. Ai nënvizon se askush nuk do t’i diktojë bashkëpunëtorët dhe drejtimin e angazhimit të tij politik.
Në fund të postimit, Fatmir Limani shpreh mirënjohje për bashkëpunëtorët dhe qytetarët që e kanë mbështetur, duke theksuar se misioni i tij për zhvillimin e rinisë dhe përmirësimin e mirëqenies së qytetarëve do të vazhdojë edhe në kapitujt e ardhshëm të angazhimit të tij politik.
Trending










