Kancelari gjerman Friedrich Merz i bëri thirrje të hënën presidentit rus Vladimir Putin që të ndalojë sulmet ndaj Ukrainës dhe të kthehet në tryezën e negociatave për t’i dhënë fund luftës.
Duke folur në një konferencë të përbashkët për shtyp në Paris, së bashku me udhëheqësit nga Franca, Ukraina dhe Mbretëria e Bashkuar, Merz tha se anëtarët e “koalicionit të të vullnetshmëve” kishin rënë dakord të ruanin mbështetje të fortë për Kievin, ndërkohë që shtonin presionin mbi Moskën përmes masave të reja.
“Ne po e bëjmë këtë jo për ta zgjatur luftën, por për ta përfunduar atë sa më shpejt të jetë e mundur”, tha Merz.
“Mesazhi ynë për Rusinë është: Është koha të ulemi në tryezën e negociatave, është koha të biem dakord për një armëpushim. Është koha t’i japim fund gjakderdhjes së panevojshme në Ukrainë”, shtoi ai.










