Bujar Osmani, ditën në Facebook e nisi si Ministër I Jashtëm, me postimin për shënimin tradicional të fillimit të Ditëve të NATO-s në vend me pjesëmarrjen e korit diplomatik.
Por, iftaret vazhdojnë të jenë në “modë”. Në Shkup, Osmani, para veteranëve të UÇK-së, deklaron se falë tyre është arritur Kryeministria, kurse synimi I radhës është Presidenti.
Në postimet në rrjetet sociale nuk janë harruar artistët, drejtuesit dhe puntorët e kulturës, por edhe bizneset familjare.
Kandidati presidencial I opozitës shqiptare, Arben Taravari, aktiv është në hapjen e shtabeve të koalicionit VLEN. Hapja e tyre bëhet në ora 21.00, krejt kjo mbase për të respektuar Ramazanin, iftarin por edhe namazin e Teravisë.
Nuk është harruar edhe elita universitare akademike dhe ekspertët e fushave të ndryshme. Sipas asaj që shkruan Taravari në Facebook, Programi Presidencial do të hartohet nga kjo elitë
Mbase për shkak të obligimeve, Presidenti aktual dhe kandiidati I LSDM-së, Stevo Pendarovski, nuk është gjithaq aktiv nëpër rrjetet sociale. Në këtë profil, postimin e fundit e ka më 24 mars duke uruar 75-vjetorin e institucionet kulturor “Tanec”.
Por, kjo nuk mund të thuhet për kandidaten presidenciale të VMRO-DPMNE-së, Gordana Siljanovska – Davkova.
Ajo në Facebook shpërndan video të shkurtëra me mesazhe të ndryshme, por kohë pas kohe komenton edhe zhvillimet aktuale politike në vend dhe jo vetëm.
“Natyra zgjohet, por edhe gratë duhet të zgjohen! Duhet të shfrytëzohet kreativiteti i thuajse 50% të popullsisë, atëherë Maqedonia që bart emër femre, do të jetë më prosperuese” – thuhet në një ndër mesazhet e postuara në Facebook të Gordana Siljanovskës.
Më aktive në Facebook është kandidatja presidenciale e “Levicës”, Biljana Vankovska.
Ajo shkruan për zhgënjimin e të rinjve, se nuk e fal Marrëveshjen e Prespës dhe nuk njeh gjysmëpatriota, shkruan për të drejtat kushtetuese, por edhe për opozitën, pozitën dhe opozitën maqedonase dhe shqiptare.
“Nuk e di se kush është më i keqi – opozita e bashkuar maqedonase apo shqiptare. Apo, kush është më i keq – pjesa maqedonase apo shqiptare e pushtetit” – pyet Vankovska duke potencuar se habitet kur dikush beson në kapacitetet demokratike të njerëzve që kanë kaluar nëpër të gjitha kombinatorikat e koalicioneve.
Kandidati presidencial i Lëvizjes “Znam”, Maksim Dimitrievski, nëpër rrjetet sociale poston pjesëmarrjet nëpër podcaste të ndryshme, kurse Stevço Jakimovski, postimin e fundit në Facebook e ka më 25 mars, me pjesëmarrjen në një studio televizive.