Nga 23 deri më 26 korrik, Liqeni i Mavrovës ishte vendi ku u zhvilluan garat e 17-ta në peshkimin sportiv të vendeve të Adriatikut dhe Danubit. Organizator i këtij aktiviteti ishte Federata e Peshkatarëve Sportivë të Maqedonisë. Sipas organizatorëve, bëhet fjalë për një nga garat më të njohura ndërkombëtare në peshkimin sportiv të krapit.
Në këtë aktivitet sportiv, Parku Kombëtar i Mavrovës ishte partner dhe mikpritës i garave, ku morën pjesë 21 ekipe të peshkatarëve sportivë nga Maqedonia e Veriut, Serbia, Sllovenia, Kroacia, Bosnja dhe Hercegovina, si dhe Bullgaria. Garat në peshkimin sportiv zgjatën 50 orë, në përputhje me rregullat e Federatës Evropiane të Peshkimit Sportiv.
Drejtori i Parkut Kombëtar të Mavrovës, Haris Ibraimi, ndau mirënjohjet për individët dhe ekipet më të suksesshme në këto gara dhe theksoi se ato u zhvilluan në nivel të lartë organizativ dhe në përputhje me rregulloren e organizatorit. Vendin e parë e fitoi ekipi “Barica” nga Serbia, vendin e dytë ekipi “Murska Sobota” nga Sllovenia, ndërsa vendin e tretë ekipi bullgar “Barfin Line”.
Çmimi për kapjen e krapit më të madh i takoi ekipit “Sport Fishing Saraj” nga Shkupi, i cili arriti të kapë një krap me peshë 8.30 kilogramë. Sipas organizatorëve, Liqeni i Mavrovës edhe këtë herë dëshmoi se ofron kushte shumë të mira për organizimin e garave ndërkombëtare të peshkimit sportiv, duke kontribuar njëkohësisht në promovimin e Parkut Kombëtar të Mavrovës në arenën ndërkombëtare. (koha.mk)










