Trendy

Familja Shukriu nga Likova, 8 muaj jetë nën shkëmbin e çarë! Autoritet nuk marrin masa, ia hedhin përgjegjësinë njëra-tjetrës!

Para 2 orë

Tani e tetë muaj po jetojnë nën shkëmbin që i zuri derën e shtëpisë. Hendeku sa vjen e rritet duke rrëshqitur kodra nga uji mineral që buron nga toka në hyrje të fshatit Likovë. Familja Shukriu me dy shtëpi po jeton nën kanosjen e rrezikut për jetë, derisa presin autoritet për të marrë masa.

Çarja e tokës në këtë zonë nuk ka të ndalur, posaçërisht kur ka të reshura atmosferike. Krisja e mureve rrethore të oborrit dhe e ahurit të kafshëve shtëpiake janë alarm se të radhës janë dy shtëpitë ku banojnë mbi 10 njerëz. Në rrezik është edhe rruga regjionale.

“Tani e 8 muaj rrëshqitja e dheut këtu në hyrje të fshatit të Likovës është bërë makth për dy familjet, të cilat janë detyruar të kthehen dhe të banojnë në shtëpitë e tyre, edhe pse me rrezik të përditshëm, në pritje të një vendimi nga autoritet lokale, të cilat thonë se po presin një vendim nga lart, nga qeveria, për të vendosur nëse do të spostohet pjesa e dheut, apo do të dislokohen këto dy shtëpi”, raporton Adi Qaili, gazetar i TV21.

 

 

 

Familja Shukriu për katër muaj i ka braktisur shtëpitë. Nga fillimi i dhjetorit mbeten shiritat për një zonë me rrezikshmëri të lartë. Kryefamiljari fton urgjentisht të intervenohet me grryerjen e kodrës që mos të vij deri te fatkeqësia me pasoja në njerëz. Rruga e tyre mbetet ende e bllokuar dhe detyrohen të bartin ujë me kova ngaqë janë këputur dhe gypat.

 “Momentalisht unë kam ardhur prej 4 muajsh nga vendet tjera, nuk ka asgjë as prej komunës e as prej qeverisë, kemi hy në shtëpi e po presim. Mund të ndodh edhe më e keqja, por nuk di si t’ja bëjmë me këtë shtet që nuk kujdeset për ne, se kur vjen dita nuk e di. Çfarë ju thonë? Po s’ka mjete komuna, po ja lënë fajin qeverisë, kjo e fundit nuk po ndërmerr masa aspak. E kur të bëhet dëmi më i madh edhe pse vijnë, kot e kanë”, u shpreh Agim Shukriu, pronar i shtëpisë në Likovë.

Trending