Trendy

RЕBALANCI 2026: Miliona për investime, miliarda borxhe

Para 2 orë

Ribalanci i Buxhetit rrit deficitin në 4,1 për qind të BPV-së. Qeveria thotë se huamarrja shkon për projekte kapitale, ndërsa kritikat fokusohen te rritja e borxhit publik.

Ministrja e Financave, Gordana Dimitrieska-Koçoska, arsyetoi para deputetëve Propozim-rebalancin e plotësuar të Buxhetit për vitin 2026, duke thënë se realizimet makroekonomike dhe fiskale në gjysmën e parë të vitit, të kushtëzuara nga zhvillimet e jashtme, e imponuan nevojën e rishikimit të projeksioneve fillestare. Sipas saj, mjetet shtesë janë të nevojshme për obligimet që dalin nga kontratat kolektive të nënshkruara, për bujqësinë, mbrojtjen sociale dhe komunat, si dhe, mbi të gjitha, për shpenzimet kapitale. “Si Qeveri e përgjegjshme dhe Ministri e Financave e përgjegjshme, obligim yni është të reagojmë me kohë dhe t’i harmonizojmë projeksionet buxhetore me rrjedhat reale ekonomike, duke siguruar njëkohësisht mjete për përmbushjen e obligimeve ligjore, mbështetjen e qytetarëve dhe vazhdimin e ciklit investiv”, tha Dimitrieska-Koçoska.

Opozita ndërkohë me kritika të ashpra për rritjen e borxhit. Deputeti I LSDM-së Fatmir Bytyqi theksoi se nuk bazohet në aktivitet të shëndoshë ekonomik. Sipas tij qeveria po rrit  shpenzimet, ndërsa po redukton të hyrat.

“Përgjigja e qeverisë është në kundërshtim me paralajmërimin. Në vend të masave kredibile, propozon ribalanc me eficit prej 4.1 përqind. Ka edhe një sinjal shumë të rëndësishëm në këtë ribalanc, e ajo është se dobësohet baza e të hyrave shtetërore. Të hyrat tatimore në vend se të fuqizohen, revidohen, nga 214,1 miliard në 213,2 miliard denarë. Në të njejtën kohë, të hyrat jo-tatimore rriten nga 29 në 31 miliard denarë, ndërsa donacionet nga shtatë në nëntë miliard denar. Kjo do të thotë se buxheti nuk mbështetet në aktivitet të shëndoshë ekonomik”, theksoi deputeti Bytyqi.

Deputeti i Aleancës për Shqiptarët, Halil Snopçe tha se familjet mezi e përballojnë muajin, problemi është se të rinjtë nuk planifikojnë më se si ta ndërtojnë jetën këtu, por se si të blejnë një biletë vetëm vajtje drejt vendeve perëndimore. Ai drejtoi edhe një sere kritikash për ribalancin e buxhetit.

“Së pari, fakti që buxheti po korrigjohet vetëm pas gjashtë muajsh tregon se projeksionet fillestare ose kanë qenë tepër optimiste, ose nuk janë mbështetur në tregues të qëndrueshëm ekonomikë. Së dyti, rritja e deficitit nuk është vetëm kategori kontabël. Çdo denarë i marrë sot përmes huamarrjes duhet të kthehet nesër nga qytetarët dhe nga ekonomia reale. Çdo rritje e deficitit duhet të shoqërohet me një plan të qartë që tregon se huamarrja do të përdoret për rritjen e produktivitetit, të konkurrueshmërisë dhe të kapaciteteve prodhuese. Dhe e treta, ekonomia nuk mund të mbështetet pafundësisht në konsumin publik dhe në huamarrje. Pa forcimin e prodhimit vendor, çdo rritje ekonomike do të jetë e brishtë dhe afatshkurtër”, theksoi Snopçe/

Trending