Trendy

Tradita bashkon Rekën e Epërme me diasporën

Para 6 orë

Aktiviteti nisi me pritjen tradicionale nën tingujt e çiftelive, daulleve dhe tupanëve të Dibrës së Madhe, duke krijuar një atmosferë festive dhe autentike. Më pas u prezantuan dasma tradicionale e Rekës së Epërme, vallet dhe këngët karakteristike të kësaj treve, lojërat popullore, si dhe elemente të tjera të trashëgimisë kulturore shqiptare.

Shoqata për Kulturë “Reka e Epërme” edhe këtë vit organizoi manifestimin tradicional “Takimet e Rekës së Epërme”, një ngjarje që tashmë është shndërruar në simbol të ruajtjes së identitetit, kulturës dhe trashëgimisë së kësaj treve shqiptare. Në fshatin Rimnicë u mblodhën banorë vendas dhe ish-banorë të Rekës së Epërme, të cilët sot jetojnë në Gostivar, Tetovë, Shkup, Dibër dhe qytete të tjera të vendit, si dhe mërgimtarë nga Italia, Gjermania, Zvicra, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe vende të tjera. Në manifestim morën pjesë edhe përfaqësues të institucioneve dhe të shoqatave të ndryshme kulturore.

 

Aktiviteti nisi me pritjen tradicionale nën tingujt e çiftelive, daulleve dhe tupanëve të Dibrës së Madhe, duke krijuar një atmosferë festive dhe autentike. Më pas u prezantuan dasma tradicionale e Rekës së Epërme, vallet dhe këngët karakteristike të kësaj treve, lojërat popullore, si dhe elemente të tjera të trashëgimisë kulturore shqiptare. Të pranishmit i ndoqën me emocion dhe duartrokitje interpretimet artistike, të cilat pasqyruan historinë, zakonet dhe traditat e kësaj treve autoktone shqiptare. Organizatorët theksuan se përmes këtij manifestimi vazhdon të ruhet dhe të promovohet kultura e Rekës së Epërme, duke e përcjellë atë edhe te brezat e rinj.

 

Manifestimi kishte nisur më 26 korrik me Marshin Tradicional, ndërsa aktiviteti qendror u mbajt më 2 gusht në fshatin Rimnicë, ku morën pjesë qindra vizitorë nga vendi dhe diaspora. Në këtë aktivitet mori pjesë edhe kryetari i Komunës së Dibrës, Fisnik Mela, i cili vlerësoi rëndësinë e manifestimit si një ngjarje që bashkon banorët, mërgimtarët dhe miqtë e kësaj treve. “Komuna e Dibrës mbetet e përkushtuar për të mbështetur aktivitetet që promovojnë kulturën, traditën dhe identitetin tonë kombëtar”, deklaroi Mela. Ai përgëzoi organizatorët për angazhimin e tyre në ruajtjen e kësaj tradite të rëndësishme, duke theksuar se manifestime të tilla forcojnë lidhjet ndërmjet brezave dhe promovojnë trashëgiminë kulturore të Rekës së Epërme.

Trending