Një histori e bukur suksesi, pune dhe integrimi vjen nga Kopenhaga e Danimarkës, ku Fadil Tairi, me prejardhje nga fshati Uzurmisht, prej vitesh drejton picerinë “La Sorpresa”.
Tairit i është kushtuar një shkrim i veçantë me titullin “La Sorpresa”, ku ai prezantohet jo vetëm si pronar i një biznesi të suksesshëm, por edhe si një njeri që është bërë pjesë e pandashme e komunitetit lokal.
“Ky artikull më dha shumë kurajë dhe motivim. I falënderoj për vlerësimin dhe respektin”, shprehet Fadil Tairi për Tetova News.
Sipas shkrimit, “La Sorpresa”, që ndodhet në Tingvej 43, funksionon që nga viti 2018. Fadili kishte mbërritur në Danimarkë në vitin 2015 dhe, brenda vetëm pak vitesh, ishte bërë një figurë e njohur në lagje.
Banorët, thuhet në artikull, nuk e njohin vetëm si njeriun pas banakut apo pranë furrës së picave, por si Fadilin që i përshëndet në rrugë, interesohet për jetën e lagjes dhe tregon kujdes për njerëzit që kalojnë në lokalin e tij.
“I dua fqinjët e mi sikur të ishin familja ime”
Një pjesë e shkrimit mban titullin “Njeriu i lagjes”, ku theksohet marrëdhënia e veçantë që Tairi ka krijuar me banorët.
“I dua fqinjët e mi sikur të ishin familja ime”, citohet të ketë thënë ai, duke treguar se për të marrëdhënia me komunitetin ka një rëndësi të veçantë.
Edhe familja e tij paraqitet si pjesë e historisë së “La Sorpresa”. Në artikull thuhet se piceria është shumë më tepër sesa një biznes, pasi është një vend i ndërtuar mbi marrëdhëniet mes njerëzve – si atyre që punojnë pas banakut, ashtu edhe klientëve që hyjnë çdo ditë në lokal.











