Trendy

Dhjetori sjell autobusët elektrikë, shtatori trenin urban

Para 2 orë

Tridhjetë autobusët e parë elektrikë pritet të arrijnë në vend në dhjetor ose janar, ndërsa furnizimi i gjithsej 150 pritet të përfundojë për një vit e gjysmë. Është parashtruar një ankesë, e cila sot është refuzuar nga Komisioni i shkallës së dytë për ankesa për prokurime publike, njoftoi zëvendëskryeministri dhe ministri i Transportit, Aleksandar Nikolloski.

 

“Përfundoi edhe procesi i ankesave, është parashtruar ankesë, e cila sot u refuzua nga Komisioni i shkallës së dytë, kështu që kësaj radhe procesi ka përfunduar plotësisht me sukses. Tani po hyjmë në procesin e nënshkrimit të një kontrate dhe nëse afati i dorëzimit është gjashtë muaj nga nënshkrimi i kontratës, kërkesa ime drejtuar ofertuesit, i cili tani do të jetë edhe kontraktori zyrtar i shtetit, do të jetë që autobusët e parë të mbërrijnë në dhjetor ose janar. Gjashtëdhjetë të tjerët do të mbërrijnë brenda 12 muajve dhe edhe 60 tjerë brenda 18 muajve. Në mënyrë që i gjithë dorëzimi të mund të përfundojë brenda një viti e gjysmë”, tha Nikolloski sonte në intervistë për Ditarin në TV Sitel.

 

Pasi të enjten në Qeveri u nënshkruan marrëveshjet për grantin investues nga Bashkimi Evropian përmes Kornizës së investimeve për Ballkanin Perëndimor, si dhe marrëveshjet për financim me Bankën Evropiane të Investimeve (BEI) dhe Bankën Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH), të cilat sigurojnë strukturën financiare për zbatimin e fazës së tretë të pjesës hekurudhore Kriva Palankë – fillimi i tunelit ndërkufitar me Bullgarinë, si pjesë e Korridorit hekurudhor 8, Nikolloski deklaroi se është jashtëzakonisht i kënaqur me dinamikën e zhvillimit të projektit dhe, tha, nëse gjithçka shkon mirë, pret punë intensive ndërtimi nga fillimi i vitit të ardhshëm.

 

Tashmë është zgjedhur edhe një kompani revizore, e cila deri nga mesi i tetorit duhet të bëjë revizion të tërë dokumentacionit, e pastaj ta ndjek procesin e zbatimit. “Nëse nga ana e Bullgarisë punohet me të njëjtin ritëm si tek ne, atëherë jemi dakorduar deri në vitin të kemi lidhje, që do të shkojë nga Shkupi përmes Sofjes deri në Varna dhe Burgas”, tha Nikolloski.

 

Duke folur për projektet e tjera infrastrukturore, Nikolloski për projektin kapital të autostradës Ohër – Kërçovë tha se aktivitetet ndërtimore do të përfundojnë në tremujorin e parë të vitit 2027, e në cilin muaj saktësisht, do të varet se si do të jetë dimri. “Nëse është dimër i butë, ndoshta janar, nëse është i ashpër, ndoshta do të presim deri në mars, sepse bëhet fjalë për terren malor. Por tashmë po flasim për muajt kur do të përfundojë, e jo për vite dhe dekada, të cilat, për fat të keq, e kanë ndjekur këtë autostradë”, tha Nikolloski, duke shtuar se pasi të përfundojë tërë projekti, do t’i prezantojë të gjitha faktet dhe problemet me këtë projekt, me të cilat janë përballur në dy vitet e fundit.

Trending