Kryetari i Këshillit të Qytetit të Shkupit nga radhët e VLEN-it, Zekerija Berisha, ka bërë të ditur se grupi i këshilltarëve të VLEN-it ka mbështetur rebalancin e buxhetit të Qytetit të Shkupit, duke votuar në favor të një sërë projektesh që ndikojnë drejtpërdrejt në jetën e qytetarëve.
Berisha thekson se vota e këshilltarëve të VLEN-it ka qenë në funksion të projekteve konkrete në infrastrukturë, arsim, sport, kulturë dhe përmirësimin e higjienës së qytetit.
“Në Këshillin e Qytetit ne nuk votojmë thjesht për numra dhe dokumente, por për projekte që përmirësojnë jetën e qytetarëve. Mbështetëm rebalancin sepse ai përfshin investime konkrete në infrastrukturë, shkolla, sport, kulturë dhe hapësira publike”, ka deklaruar Berisha.
Ndër projektet e mbështetura është ndërtimi i urës dhe lidhjes së re rrugore në Komunën e Sarajit, e cila pritet të krijojë një hyrje të re në Shkup dhe të përmirësojë qarkullimin dhe lidhjen e kësaj pjese me qytetin.
Gjithashtu, VLEN ka votuar për rekonstruksionin e rrugëve në komunat e Shkupit, investime në shkollat e mesme, pajisje dhe kabinete të reja shkollore, si dhe terrene sportive, zona fitnesi dhe hapësira të reja rekreative për të rinjtë.
Në paketën e mbështetur përfshihen edhe vazhdimi i programeve për nxënësit e shkollave të mesme, përfshirë aktivitetet sportive dhe rekreative, mbështetja e vazhdueshme për pacientët onkologjikë, pastrimi i deponive dhe përmirësimi i higjienës së qytetit.
Në fushën e kulturës, sipas Berishës, janë mbështetur institucionet dhe projektet e rëndësishme për përgatitjet për Shkupin – Kryeqyteti Evropian i Kulturës 2028. Në fokus janë edhe rikthimi dhe zhvillimi i hapësirave të rëndësishme për qytetarët dhe të rinjtë, si Planetariumi, kinemaja “Millennium” dhe hapësirat për aktivitete bashkëkohore.
“Për ne në VLEN, vota në Këshillin e Qytetit nuk është formalitet. Çdo votë duhet të shndërrohet në punë, investim dhe rezultat të prekshëm për qytetarët e Shkupit. Ky është parimi ynë: më pak fjalë, më shumë punë”, ka theksuar Berisha.











