Kryetari i Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut, Afrim Gashi, sot realizoi takim me Kryetaren e Kuvendit të Republikës së Kosovës, Albulena Haxhiu, e cila ndodhet për vizitë zyrtare në vend. Kryetari Afrim Gashi theksoi se bashkëpunimi parlamentar midis Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe Kuvendit të Republikës së Kosovës karakterizohet nga dinamika intensive dhe shprehu bindjen se ky trend do të vazhdojë edhe në të ardhmen, transmeton Portalb.mk.
Theksoi se të dy vendet ndajnë një vizion të përbashkët për një rajon paqësor, të qëndrueshëm, të sigurt dhe ekonomikisht të begatë, të integruar në strukturat euroatlantike dhe në këtë drejtim, është e rëndësishme të vazhdohet me dialogun dhe koordinimin e hapur për çështjet me rëndësi rajonale.
Kryetarja e Kuvendit të Republikës së Kosovës, Albulena Haxhiu, u angazhua për avancimin e mëtejshëm të bashkëpunimit konstruktiv midis Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe Kuvendit të Republikës së Kosovës dhe theksoi se kjo është vizita e saj e parë zyrtare në një vend të huaj si Kryetare e Kuvendit, që është konfirmim i fortë i rëndësisë së marrëdhënieve të shkëlqyera dypalëshe dhe bashkëpunimit të frytshëm midis dy vendeve mike.
Ajo shprehu mirënjohje që Republika e Maqedonisë së Veriut ka pasur vazhdimisht qëndrim afirmativ për aderimin e Republikës së Kosovës në të gjitha organizatat dhe iniciativat shumëpalëshe dhe rajonale.
Lexo edheNesër kufizime në komunikacionin në qendër të Shkupit për vizitën e Albulena HaxhiutNë takim u bë fjalë edhe për procesin e integrimit evropian, ku bashkëbiseduesit vlerësuan se bashkëpunimi i ndërsjellë duhet të synojë krijimin e kushteve për përshpejtimin e integrimit evropian të të gjithë rajonit, bazuar në meritat, përmbushjen e kritereve dhe zbatimin konsekuent të reformave.
Gashi dhe Haxhiu theksuan se do të vazhdojnë t’i inkurajojnë kontaktet midis qytetarëve, të rinjve, komuniteteve akademike dhe subjekteve afariste, pasi këto kontakte janë bazë e rëndësishme për miqësi dhe partneritet afatgjatë.
Kryetarët e dy kuvendeve shkëmbyen mendime edhe mbi zhvillimet aktuale në rajon dhe në botë dhe e theksuan nevojën për paqe, siguri dhe stabilitet.
Në fund të takimit, Gashi dhe Haxhiu shprehën bindjen se vizita do të kontribuojë në forcimin e mëtejshëm të besimit të ndërsjellë dhe në konstatimin e mundësive konkrete për thellimin e bashkëpunimit midis dy parlamenteve.
Në takim morën pjesë: nënkryetarja e Kuvendit, Vesna Bendevska, kryetarja e Grupit Parlamentar për Bashkëpunim me Parlamentin e Republikës së Kosovës, Imërlie Saliu-Fetai, dhe sekretarja e përgjithshme, Marina Dimovska.
Komentet
Bëhu i pari që komenton.












