Trendy

Anija me sodë e nisur nga Shqipëria drejt Ukrainës përplaset dhe fundoset në ujrat greke

Para 52 minuta

Një anije mallrash që transportonte sodë (karbonat natriumi) është përplasur me disa shkëmbinj dhe është fundosur herët në mëngjesin e së mërkurës në veri të Androsit, në Greqi.

Anija me flamur të Vanuatu-s ishte nisur nga Shqipëria drejt Ukrainës dhe transportonte rreth 8 mijë ton sodë. Për shkaqe që po hetohen, ajo u përplas në një zonë shkëmbore dhe u fundos pas dëmtimeve të rënda në trupin e saj.

Në bord ndodheshin nëntë marinarë, tetë shtetas turq dhe një shtetas azerbajxhanas, të cilët u shpëtuan të gjithë. Dy prej tyre u nxorën nga deti nga anijet e rojës bregdetare, ndërsa shtatë të tjerët u gjetën në një zonë shkëmbore të vështirë dhe u evakuuan nga ekipet e shpëtimit me ndihmën e forcave detare dhe ajrore.

Në operacion u angazhuan katër anije të rojës bregdetare, mjete të tjera lundruese dhe një helikopter i forcave ajrore greke. Të gjithë marinarët u transportuan në portin e Androsit, ku morën ndihmën e parë dhe ndodhen në gjendje të mirë shëndetësore.

Autoritetet greke kanë nisur hetimet për të përcaktuar shkaqet e aksidentit detar.

Trending