Trendy

ASH: Plani 2030 është prova më e fortë e dështimit të VLEN-it

Para 1 orë

Aleanca për Shqiptarët ka reaguar me një komunikatë, duke vlerësuar se vetë programi parazgjedhor i koalicionit VLEN, “Plani 2030”, është dëshmia më e fortë e dështimit të premtimeve të tij. Sipas ASH-së, shumica e zotimeve të dhëna para qytetarëve nuk janë realizuar, ndërsa shumë prej tyre po përsëriten si premtime të reja.

Reagimi i plotë i Aleancës për Shqiptarët:

“Vetë programi parazgjedhor i VLEN-it Plani 2030 është prova më e fortë e dështimit. Nuk ka nevojë për argumente shtesë për të dëshmuar dështimin e tyre, mjafton të lexohet programi i tyre parazgjedhor. Premtimet e papërmbushura janë kthyer sërish në premtime të reja, në arsyetime, justifikime duke dëshmuar mungesën e rezultateve konkrete dhe heshtjen e tyre.

Ky koalicion u prezantua para qytetarëve me një varg premtimesh tërheqëse, në planin 2030 si me rritje të përfaqësimit të shqiptarëve në institucione, fuqizimin e gjuhës shqipe, përfaqësim të drejtë dhe të barabartë, themelim të Akademisë Shqiptare, zona të lira ekonomike në vendbanimet shqiptare, Erasmus shqiptar, gjashtë spitale rajonale dhe reformë në shëndetësi.

Premtoi gjithashtu se MPB-ja, ose së paku njëra nga dy drejtoritë kryesore të saj, do të drejtohej nga një shqiptar, krahas përfundimit të autostradës Shkup-Bllacë, subvencionimit të bizneseve të mërgimtarëve dhe lehtësirave për blerjen e banesave për çiftet e reja deri në 35 vjeç e kështu me radhë. Sot, dy vite më pas, asnjë nga këto premtime nuk është realizuar, me përjashtim të ndonjë projekti që është në fazë fillestare, si autostrada Shkup-Bllacë, për të cilën ende nuk dihet se çfarë epilogu do të ketë.

Edhe më e rëndë është heshtja e VLEN-it përballë procesit të integrimit evropian. Sa ishte në opozitë, ky koalicion ngrinte zërin kundër ngecjes së rrugës evropiane dhe betohej se, po të vinte në pushtet, do ta zhbllokonte menjëherë këtë proces nëpërmjet ndryshimeve kushtetuese. Tani, si pjesë e qeverisë, jo vetëm që nuk ka ndërmarrë asnjë hap konkret drejt këtyre ndryshimeve, por duket se as nuk e ka në agjendë, ndërkohë që pikërisht ato mbeten kushti kyç për çdo përparim real drejt BE-së. VLEN në qeverisje me VMRO-DPMNE-në, nga retorika e fortë e opozitës, u shndërrua në pasivitetin total të pushtetit”, përfundojnë nga Aleanca për Shqiptarët.

Trending