Kandidati për ministër të Shëndetësisë, Sasho Klekovski, ka diplomuar në Fakultetin e Mjekësisë në UKIM dhe është mjek me profesion, por nuk ka asnjë ditë përvojë pune në këtë fushë. Në një intervistë për emisionin “360 Gradë” në MRT 1, ai tha se, megjithëse diplomoi me mesatare të lartë (9.7), vendosi të mos e ushtrojë profesionin e mjekut, përcjell Nistori.
“Diplomova në një periudhë jashtëzakonisht të vështirë, kur sistemi shëndetësor ishte në kolaps. Tretësira fiziologjike blihej në farmaci dhe dërgohej në spital. Në kushte të tilla nuk pashë se si mund të kontribuoja. Prandaj vendosa të ndjek një rrugë tjetër profesionale. Në të njëjtën periudhë, së bashku me bashkëthemelues të tjerë, krijuam Qendrën Maqedonase për Bashkëpunim Ndërkombëtar në vitin 1993”, tha Klekovski, duke kujtuar punësimin e tij të parë.
Ai u bë anëtar i Komitetit Ekzekutiv të VMRO DPMNE-së në vitin 2022. Edhe pse kishte qenë pjesë e partisë edhe më herët, ai thotë se prej asaj kohe është angazhuar më aktivisht në strukturat partiake. Sipas tij, vetëm ministrja Sanja Bozhinovska ka më pak përvojë partiake se ai në përbërjen aktuale të Qeverisë.
Duke folur për mungesën e përvojës në sistemin shëndetësor, Klekovski theksoi se kjo ka edhe anët pozitive. “Avantazhi është se e kuptoj atë që më thonë punonjësit shëndetësorë, sepse e njoh gjuhën e profesionit. Nga ana tjetër, fakti që nuk kam punuar në sistemin shëndetësor do të thotë se nuk i përkas asnjë grupi interesi. Nuk kam interesa të lidhura me kirurgjinë, me Shkupin, Manastirin apo me qarqe të caktuara farmaceutike. Kjo më ndihmon të jem më objektiv në vlerësimet e mia. Sa më gjatë të jesh pjesë e një sistemi, aq më shumë rritet subjektiviteti.”
I pyetur për angazhimin e tij partiak, Klekovski tha se vitet e aktivitetit politik e kanë ndihmuar të kuptojë mënyrën e funksionimit të partisë.“Kam qenë koordinator për Aerodromin, Karposhin, por edhe për Brvenicën dhe Krushevën. Kjo të jep mundësinë të kuptosh dallimet dhe pritjet e qytetarëve. Përveç kësaj, përmes Qendrës Maqedonase për Bashkëpunim Ndërkombëtar kam vizituar më shumë se 200 fshatra në të gjithë vendin, prandaj besoj se e njoh mirë Maqedoninë.”
Aktualisht ai është kryetar i Komisionit për Shëndetësi të VMRO DPMNE-së. Sipas rregullave të partisë, ai nuk mund të jetë njëkohësisht edhe anëtar i Komitetit Ekzekutiv. I pyetur nëse largimi nga Komiteti Ekzekutiv përbën ulje të statusit të tij partiak, Klekovski u përgjigj: “Në momentin që pushova së qeni anëtar i Komitetit Ekzekutiv, u zgjodha kryetar i Komisionit për Shëndetësi.”
Me ristrukturimin e Qeverisë, Klekovski kalon nga posti i drejtorit të Fondit të Sigurimeve Shëndetësore në atë të ministrit të Shëndetësisë. Ai është kandidati i tretë për këtë post në qeverinë e kryeministrit Hristijan Mickoski, pas largimit të Arben Taravarit dhe Azir Aliut.
Ndërkohë, propozimet e kryeministrit për shkarkimin dhe emërimin e anëtarëve të rinj të Qeverisë kanë mbërritur në Kuvend. Seanca plenare për shqyrtimin e tyre është caktuar për 13 korrik. /Nistori/










