Kryetari i Komunës së Sarajit, Muhamed Elmazi, ka reaguar publikisht ndaj disa shkrimeve mediatike ku përmendet emri i tij, duke i hedhur poshtë në tërësi si të pavërteta dhe spekulative, përcjell tetova1
Në reagimin e tij, Elmazi thekson se informacionet e publikuara nuk pasqyrojnë realitetin dhe i cilëson si konstruksion të qëllimshëm për të krijuar perceptim të gabuar në opinionin publik. Ai shpreh shqetësim edhe për faktin se, sipas tij, mediat nuk kanë kërkuar qëndrimin e tij para publikimit të këtyre pretendimeve.
Sipas tij, bëhet fjalë për një “spin klasik mediatik”, me prapavijë politike, i cili synon të dëmtojë imazhin e tij, veçanërisht në prag të 9 majit dhe Kongresit të Bashkimit. Elmazi shton se me afrimin e kësaj date vërehet nervozizëm te oponentët politikë, të cilët, sipas tij, përpiqen të prodhojnë lajme të pavërteta për përfitime politike.
Elmazi thekson gjithashtu se qytetarët e Sarajit e njohin dhe nuk do të ndërmarrë asnjë veprim që do t’i vinte ata në pozitë të vështirë.
Reagimi i plotë i Elmazit:
“Në lidhje me shkrimet e publikuara në një ose disa media, ku përmendet emri im, ndjej obligim që, për hir të së vërtetës dhe informimit të drejtë të opinionit publik, t’i demantoj në tërësi këto pretendime.
Informacionet e publikuara aty janë të pabazuara dhe me përmbajtje spekulative. Ato nuk pasqyrojnë kurrfarë realiteti, por janë konstruksion i qëllimshëm që synon të krijojë perceptim të gabuar në opinion.
Është shqetësues fakti që para publikimit të këtyre pretendimeve, media që i ka plasuar ato nuk ka kërkuar qëndrimin tim. Prandaj, bëhet fjalë për një spin klasik mediatik, me qëllime të ulëta.
Ky shkrim është pjesë e një tendence për të dëmtuar emrin tim dhe për të krijuar mjegull në opinion, në periudhën kur po afrohet 9 maji, Kongresi i Bashkimit. Sa më shumë afrohet kjo datë, aq më shumë vërehet nervozizëm te oponentët politikë, të cilët përpiqen të prodhojnë lajme të pavërteta dhe t’i përdorin ato për qëllime politike.
Saraji dhe banorët e tij e njohin kryetarin e tyre. Në asnjë rrethanë nuk do ta vendosja veten në pozita që do t’i vinin në siklet banorët që më kanë besuar. Ka kaluar koha kur sarajlitë janë turpëruar nga të zgjedhurit e tyre.
VLEN NJË. VLEN PO VJEN…”, përfundon Elmazi./tetova1.mk










