Një hetim i përbashkët i Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe Byrosë Federale të Hetimit të SHBA-së (FBI) ka zbuluar administratorin e platformës ilegale online „OLVX“, përmes së cilës shiteshin të dhëna personale të vjedhura dhe mjete për krime kibernetike.
Për rastin është ngritur kallëzim penal ndaj një 20-vjeçari me inicialet E.A. nga Reçica e Madhe e Tetovës, i dyshuar për mashtrim kompjuterik, keqpërdorim të të dhënave personale dhe vepra që lidhen me materiale të abuzimit seksual të fëmijëve.
Sipas MPB-së, në platformë ishin ofruar mbi 1.500 kredenciale të vjedhura për qasje në llogari dhe rrjete kompjuterike. Hetimi zbuloi gjithashtu se i dyshuari kishte administruar një grup ilegal në Telegram, ku ofroheshin shërbime dhe programe për veprimtari kriminale në internet.
Autoritetet e cilësojnë këtë si operacionin e parë të përbashkët të koordinuar kundër krimit kibernetik mes MPB-së dhe FBI-së.











