Trendy

Historia tronditëse e spiunit që humbi gjithçka në luftën kundër terrorit

Para 3 ditë

“E dërgoi CIA thellë nën mbulim për të depërtuar te Al Qaeda”

Një nga historitë më të errëta dhe misterioze të luftës amerikane kundër terrorizmit është zbuluar nga një investigim i gjatë i revistës Rolling Stone, që hedh dritë mbi jetën dhe fundin tragjik të një agjenti të fshehtë të Agjencisë Qendrore të Inteligjencës amerikan (CIA), i infiltruar për vite me radhë në radhët e islamikëve radikalë dhe deri te vetë Al Qaeda.

Agjenti, i njohur me pseudonimin “Anthony Lagunas”, jetoi për vite të tëra në Lindjen e Mesme nën identitet të rremë, duke u paraqitur si një mysliman radikal i konvertuar. Sipas ish-zyrtarëve të CIA-s, ai arriti të depërtonte në qarqe ekstremiste dhe të siguronte informacione që raportonin drejtpërdrejt në Shtëpinë e Bardhë dhe te drejtuesit më të lartë amerikanë.

Në kulmin e misionit të tij, Lagunas u takua fshehurazi edhe me ish-presidentin George W. Bush, ndërsa drejtori i atëhershëm i CIA-s, Michael Hayden, e konsideronte një nga asetet më të rëndësishme të agjencisë.

Por pas suksesit të jashtëzakonshëm fshihej një kosto e rëndë psikologjike.

Sipas dëshmive të ish-kolegëve, vitet e kaluara duke jetuar si dikush tjetër e shkatërruan gradualisht identitetin e tij real. Ai jetonte në medrese, studionte Kuranin, fliste arabisht dhe përpiqej të fitonte besimin e ekstremistëve, ndërsa rreziku për t’u zbuluar nënkuptonte ekzekutim të menjëhershëm.

Ish-zyrtarët e CIA-s tregojnë se me kalimin e kohës ai nisi të humbiste lidhjen me realitetin, duke shfaqur probleme të rënda emocionale dhe psikologjike. Agjencia e tërhoqi nga terreni dhe e transferoi në SHBA, por dëmet dukeshin tashmë të pakthyeshme.

Në vitin 2016, Lagunas u gjet i vdekur në një hotel në Kuala Lumpur të Malajzisë. Rrethanat e vdekjes mbeten të paqarta edhe sot. Disa ish-agjentë flasin për depresion të thellë, abuzim me alkoolin apo drogën dhe stres post-traumatik, ndërsa të tjerë e konsiderojnë atë një viktimë të vetë sistemit që e përdori në luftën sekrete kundër terrorizmit.

“CIA e dërgoi në një mision pothuajse të pamundur dhe nuk ishte e përgatitur për pasojat psikologjike që ai do të mbante mbi supe”, tha një ish-zyrtar i agjencisë për Rolling Stone.

Historia e tij ka hapur debat të fortë në SHBA mbi mënyrën se si trajtohen agjentët e infiltruar dhe mbi çmimin njerëzor të “Luftës kundër Terrorit”, që pas sulmeve të 11 shtatorit ndryshoi përgjithmonë mënyrën e operimit të CIA-s.

Trending