Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës (IHMK) ka lëshuar paralajmërim meteorologjik të nivelit portokalli për të gjithë territorin e Republikës së Kosovës, i vlefshëm gjatë gjithë ditës së mërkurë, 22 korrik 2026.
Sipas IHMK-së, nga ora 00:00 deri në 23:59 priten zhvillime të fuqishme konvektive, të cilat do të sjellin stuhi lokale me bubullima, të shoqëruara në disa rajone me reshje intensive shiu, breshër dhe erëra të forta me karakter stuhish.
Instituti paralajmëron se kushtet e motit mund të shkaktojnë rrezik të lartë nga goditjet e rrufesë, dëmtime në rrjetin elektroenergjetik dhe ndërprerje të furnizimit me energji elektrike, pengesa në telekomunikacion, përmbytje të shpejta lokale, si dhe dëmtime në objekte, automjete, infrastrukturë e kultura bujqësore. Po ashtu, vlerësohet se mund të rritet rreziku për shpërthimin e zjarreve si pasojë e shkarkimeve atmosferike.










