Trendy

Gostivar, ndalohet përdorimi i ujit të pijshëm – publikohen rekomandimet për qytetarët

Para 9 orë

Departamenti i Epidemiologjisë së Sëmundjeve Infektive pranë Spitalit të Gostivarit ka publikuar rekomandime për qytetarët, pas ndalesës së përdorimit të ujit të pijshëm nga sistemi i furnizimit me ujë të qytetit.

Sipas njoftimit, më 17 korrik 2026, Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë vendosi ndalesë për përdorimin e ujit të pijshëm nga ujësjellësi i Gostivarit, për shkak të dyshimeve të bazuara se uji është i kontaminuar dhe i pasigurt për konsum.

Autoritetet bëjnë të ditur se deri në heqjen zyrtare të ndalesës, uji nga ujësjellësi nuk duhet të përdoret për pirje, as pas zierjes, ndërsa qytetarët duhet të përdorin vetëm ujë të ambalazhuar për pirje, gatim, përgatitjen e ushqimit për foshnja, larjen e frutave dhe perimeve, si dhe për përgatitjen e pijeve.

Në rekomandime theksohet rëndësia e higjienës personale, duke këshilluar larjen e shpeshtë të duarve me ujë të sigurt ose përdorimin e dezinfektuesve me bazë alkooli, si dhe përpunimin e mirë termik të ushqimit. Restorantet, kafenetë dhe objektet hotelierike janë udhëzuar të mos përdorin ujë nga ujësjellësi për përgatitjen e ushqimit dhe pijeve, ndërsa kopshtet e fëmijëve duhet të përdorin ekskluzivisht ujë të ambalazhuar.

Institucionet shëndetësore u bëjnë apel qytetarëve që të kërkojnë menjëherë ndihmë mjekësore nëse shfaqin simptoma si diarre, të vjella, nauze, ngërçe në bark, temperaturë të lartë ose shenja të dehidrimit. Vëmendje e veçantë u kërkohet familjeve me foshnja, fëmijë të vegjël, gra shtatzëna, të moshuar dhe persona me sëmundje kronike.

Qytetarët ftohen të ndjekin vetëm njoftimet zyrtare të institucioneve kompetente, ndërsa uji nga ujësjellësi do të mund të përdoret sërish vetëm pasi të publikohet njoftimi zyrtar se ndalesa është hequr dhe uji është i sigurt për konsum.

Pas heqjes së ndalesës rekomandohet që uji të lihet të rrjedhë për 5–10 minuta, të pastrohen pajisjet që përdorin ujë, të hidhet akulli i prodhuar gjatë periudhës së ndalesës dhe, sipas nevojës, të ndërrohen filtrat.

Trending