Në pritje të verdiktit të Gjykatës së Hagës, ish-presidenti i Kosovës Hashim Thaçi është i bindur në pafajësi.
Ai është shprehur besimplotë se do të kthehet i lirë në Kosovë.
“Plotësisht. Historia e lirisë së Kosovës prej fillim-viteve 1980-të e deri sot është thelbi i këtij procesi. Unë jam vetëm instrument në këtë eksperiment juridik. Nxjerrja e aktgjykimit është në duart e gjykatësve, por unë kam besim që, pas dëgjimit te dëshmitarëve të prokurorisë, e në veçanti atyre të mbrojtjes, të profilit dhe kredibilitetit më të lartë ndërkombëtar, ata do ta nxjerrin vendim të drejtë dhe meritor”, tha Thaçi në intervistën për “Opinion”.
Procesin që zgjat prej disa vitesh e cilësoi të bazuar mbi mashtrime.
“Në izolim po kaloj vitin e gjashtë pa vendim gjyqësor. Siç theksoi së fundi ekspert politik amerikan Daniel Serëer: “ky proces ka devijuar nga misioni duhet të ofrohet drejtësi, e jo hakmarrje e bazuar në mashtrim.” Nga ana ime nuk kam çka t’i shtoi këtij konstatimi”.
Gishtin për faktet dhe provat e paqena me të cilat thotë se është mbushur dosja e tij e drejton nga Serbia dhe Rusia.
“Për të keq, të ndyra dhe të rrejshme janë mbushur me dosje edhe arkivat në Beograd, Moskë e gjetiu nëpër hapësirat tona. Rezistenca i përket historisë, sot e jetojmë realitetin e krijuar prej saj. E ka fillimin dhe mbarimin e qartë si kristali, e ka kohën, rrethanat dhe personazhet e veta”.
Ai foli me krenari për luftën e UÇK-së, por edhe rolin e tij që ka luajtur gjatë rezistencës për lirinë e Kosovës.










