Trendy

Këshillat e komandantit se si të organizohen Tubimet përkujtimore të betejave të lavdishme të UÇK-së?

Para 21 orë

Ish-komandanti i Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare, Xhezair Shaqiri, ka publikuar një reagim me sugjerime për mënyrën se si duhet të organizohen tubimet përkujtimore të dëshmorëve dhe betejave të UÇK-së në Maqedoninë e Veriut. Në postimin e tij, Hoxha flet për ndërtimin e memorialeve, renditjen në tubime, përfshirjen e familjarëve të dëshmorëve dhe veteranëve, si dhe çështje që lidhen me financimin dhe përgjegjësinë institucionale, përcjell tetova1

Ai thekson se familjarët e dëshmorëve dhe veteranët duhet të kenë vendin kryesor në këto organizime, ndërsa politikanët dhe funksionarët publikë duhet të renditen më pas. Po ashtu, Shaqiri kërkon që fjalimet të mbahen kryesisht nga familjarët dhe pjesëmarrësit e luftës, duke ndarë përvojat dhe sakrificat e tyre ndër vite.

Postimi i plotë:

“Si duhet të jenë organizimet e përkujtimoreve të dëshmorëve dhe betejave të UÇK-së?

Po jap mendimin tim, ndërsa ju të tjerët nëse keni vërejtje apo këshilla, mund t’i ndani në këtë postim. Po flas vetëm për Maqedoninë e Veriut, jo për Kosovën.

  1. Ndërtimi i memorialeve të UÇK-së nëpër vendbanimet ku janë zhvilluar beteja.
  2. Çdo familjar i dëshmorëve, invalid dhe veteran që përballet me vështirësi financiare, duhet të trokasë në derën e Musa Xhaferit që t’u mbulohen shpenzimet. Po ashtu, çdo organizim i këshillave organizative për betejat e UÇK-së duhet t’i drejtohet atij për financim.
  3. Në tubime, në rend të parë duhet të ulen familjarët e dëshmorëve dhe veteranët. Në rendin e tretë të rezervohen vende për ata që në emër të UÇK-së kanë përfituar gjatë dhe pas luftës, ndërsa në rendin e katërt të jenë funksionarët shtetërorë dhe politikanët e opozitës.
  4. Ftesat duhet të jenë publike dhe për çdo politikan që nuk merr pjesë në tubime, këshillat organizative duhet të dalin në media dhe të kërkojnë që të mos u jepen votat atyre që mungojnë.
  5. Fjalimet duhet të mbahen ekskluzivisht nga familjarët e dëshmorëve dhe invalidët, të cilët të tregojnë dhimbjet e përjetuara ndër vite, si dhe nga ushtarët dhe komandantët që të flasin për vështirësitë dhe fitoret e betejave.

Kjo mënyrë organizimi do t’u ulte kokën politikanëve të papërgjegjshëm dhe do t’u rikujtonte historinë e vështirë të këtyre betejave, që sot të mos përfitojnë në kurriz të tyre për interesa personale apo familjare.

Gjithashtu, tre persona të tjerë kanë përvetësuar fondet e sakrificës së UÇK-së pa dhënë llogari. Nuk po ua përmend emrat, pasi njëri ka ndërruar jetë dhe bankat zvicerane ia kanë bllokuar llogarinë, ndërsa dy të tjerët i pres të reagojnë ose të më demantojnë, e më pas do të dal me detaje.

Bëhet fjalë për dhjetëra miliona marka gjermane të pranuara disa javë pas përfundimit të betejës së fundit në Haraçinë, kur më nuk kishte nevojë për logjistikë, pasi kishin nisur bisedimet për Marrëveshjen e Ohrit.

PS: Bashkimi i shoqatave të shqiptarëve në Zvicër nuk ua ka dorëzuar fondet e mbetura këtyre personave. Rreth 800 mijë franga zvicerane, arsimtari i nderuar Vaxhid Sejdiu nga Kumanova, me vendbanim në Zvicër, ua ka shpërndarë si pensione familjarëve të dëshmorëve dhe invalidëve deri në shterimin e fondit.

Disa mund të thonë se po e teproj me këto shkrime, por jo – këta e kanë tepruar për më shumë se dy dekada.

Shumë lehtë u duket Musa Xhaferit dhe disa të tjerëve të qëndrojnë larg luftës, por të kenë dorë në fondet dhe postet, e më pas, kur u bie rejtingu, të ulen në rreshtat e parë në tubime dhe të thërrasin ‘UÇK, UÇK’…”, ka përfunduar Hoxha./tetova1.mk

Trending