Trendy

Kurti për rrugën Shkup- Bllacë dhe Tetovë- Prizren: Punimet po ecin me dinamikë të përshpejtuar

Para 1 orë

Kryeministri Albin Kurti në fjalimin e tij në Kongresin e VLEN-it ka bërë të ditur se së shpejti pritet të nisin punimet për rrugën Bllacë–Shkup, poashtu edhe projekti për rrugën Prizren- Tetovë.

Realizimi i tyre, thotë Kurti po ecën me dinamikë të përshpejtuar.

“Së shpejti pritet të nisin punimet për rrugën Bllacë–Shkup e cila do të lidhet me rrjetin e autostradave të Maqedonisë së Veriut dhe me Korridorin 8, realizimi i të cilit po ecën me dinamikë të përshpejtuar. Sa i përket rrugës Prizren–Tetovë, komisioni ndërshtetëror për realizimin e këtij projekti është formuar qysh në vitin e kaluar. Tani pritet hapja e tenderimit për projektin final për të cilin qeveria e Maqedonisë së Veriut ka ndarë 2 milionë euro. Presim që sa më parë të fillojë ndërtimi i kësaj rruge me rëndësi strategjike për ndërlidhjen dhe zhvillimin e të dy vendeve tona, për qytetarët dhe bizneset”, ka thënë Kurti.

Duke komentuar projektin e rrugës Shkup- Bllacë, njëri nga liderët e VLEN, Izet Mexhiti tha se pret këto ditë përgjigje pozitive nga Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH) për fillimin e punimeve.

“Këto ditë presim përgjigje pozitive nga Banka Evropiane për Zhvillim ku shumë shpejt do të fillojnë punimet. Jam marrë në vazhdimësi me këtë, edhe qeveria e Kosovës sepse është lidhja kryesore me Kosovën, pra interes i dyanshëm dhe do të realizohet në bazë projektit të paraparë”, ka thënë Mexhiti.

Sipas kryeministrit Kurti, madje këto lehtësime kufitare, rritja e shkëmbimeve tregtare, si dhe forcimi i mirëbesimit në fushën e sigurisë dhe të marrëdhënieve në politikën e jashtme, janë përkthyer drejtpërdrejt në më shumë zhvillim, stabilitet dhe mirëqenie për të dy republikat tona.

Trending