Mërgata shqiptare në Austri, së bashku me përfaqësues të Ambasadës së Republikës së Kosovës, mori pjesë në ceremoninë përkujtimore në kampin historik të përqendrimit Mauthausen Memorial, në kuadër të 81-vjetorit të çlirimit të tij, transmeton albinfo.ch.
Në këtë aktivitet me karakter të thellë historik dhe human, shqiptarët nga diaspora u bashkuan për të nderuar viktimat e nazizmit, duke vendosur kurora lulesh dhe duke bërë homazhe pranë memorialeve përkatëse, përfshirë edhe pllakat përkujtimore të Shqipërisë, Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Republikës së Kosovës.
Pjesëmarrja e mërgatës shqiptare i dha ceremonisë një dimension të veçantë kombëtar, duke reflektuar lidhjen e fortë të diasporës me historinë, kujtesën dhe vlerat e lirisë. Në këtë kontekst, pjesëmarrësit theksuan rëndësinë e ruajtjes së kujtesës historike si një detyrim ndaj brezave të kaluar dhe të ardhshëm.
Ambasada e Kosovës në Austri vlerësoi pjesëmarrjen e bashkatdhetarëve dhe përfaqësuesve të shoqatave shqiptare, duke i falënderuar për respektin dhe angazhimin në këtë ditë përkujtimore.
Ceremonia në Mauthausen mbetet një simbol i fuqishëm i kujtesës kolektive dhe një thirrje për paqe, liri dhe dinjitet njerëzor, ndërsa pjesëmarrja e mërgatës shqiptare dëshmoi edhe një herë unitetin dhe ndërgjegjen kombëtare në ruajtjen e historisë./Albinfo.ch










