Një autobus me targa të Shkupit, i cili po transportonte nxënës nga një ekskursion, është ndaluar nga policia në autostradën Veles-Shkup, pasi dyshohej se kishte probleme serioze teknike gjatë udhëtimit.
Sipas informacioneve të siguruara nga Tetovasot, rasti është raportuar nga një prind, fëmija i të cilit ndodhej në autobus dhe kishte treguar se mjeti kishte mbetur disa herë në defekt gjatë kthimit nga ekskursioni.
“Autobusi ‘Setra’ është ndaluar në pikën pagesore ‘Otovicë’ dhe është dërguar për kontroll të jashtëzakonshëm teknik për të verifikuar gjendjen e tij”, njoftojnë autoritetet.
Policia ka reaguar menjëherë për të shmangur rrezikun ndaj nxënësve, ndërsa udhëtarët janë transportuar në mënyrë të sigurt drejt destinacionit final me një autobus tjetër.
Pas përfundimit të kontrollit teknik dhe dokumentimit të plotë të rastit, priten masa dhe parashtresa përkatëse ndaj përgjegjësve.










