Trendy

Netanyahu i kërkon SHBA-së: Mos i shitni F-35 Turqisë, Ankaraja është “regjim i infektuar”

Para 59 minuta

Kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu, ka dalë kundër mundësisë që Shtetet e Bashkuara t’i shesin Turqisë avionët luftarakë F-35, vetëm disa orë pasi presidenti amerikan Donald Trump deklaroi se po e shqyrton një vendim të tillë.

Në një intervistë për CNN, Netanyahu tha se shitja e avionëve më të avancuar amerikanë Turqisë do të “shkatërronte ekuilibrin e pushtetit në Lindjen e Mesme”.

Ai shtoi se ia ka kërkuar personalisht Trumpit të mos e miratojë një marrëveshje të tillë.

“Turqia nuk është një shtet mik i Shteteve të Bashkuara”, tha Netanyahu, duke e cilësuar Ankaranë si “një regjim të infektuar me Vëllazërinë Myslimane”.

Kryeministri izraelit akuzoi gjithashtu presidentin turk Recep Tayyip Erdogan se kërcënon Izraelin, duke thënë se ai “nuk është pikërisht një aleat shembullor i Shteteve të Bashkuara”.

Deklaratat vijnë në një kohë tensionesh të shtuara mes Turqisë dhe Izraelit. Javën e kaluar, ministri i Jashtëm turk, Hakan Fidan, deklaroi se Izraeli është “bërë një barrë që njerëzimi nuk mund ta durojë më”, ndërsa shefi i diplomacisë izraelite i cilësoi këto komente si “nxitje të gjenocidit”.

Më herët gjatë ditës, Trump tha se administrata e tij do të marrë së shpejti një vendim lidhur me shitjen e avionëve F-35 Turqisë, pavarësisht kundërshtimeve të mëparshme nga Kongresi amerikan.

Trending