Trendy

Netanyahu krijon “unazë sigurie”, kontrollon 1 mijë km² në Gaza, Siri dhe Liban që nga 7 Tetori

Para 1 orë

Izraeli kontrollon rreth 1 mijë kilometra katrorë territor ka pushtuar që nga sulmi i Hamasit më 7 Tetor, ndërsa Benjamin Netanyahu formësoi një doktrinë të re, më agresive ushtarake pas dështimit më të rëndë të sigurisë që ka përjetuar vendi.

Forcat izraelite që atëherë kanë vendosur pozicione në Gaza, Liban dhe Siri, duke kontrolluar tokë që korrespondon me rreth 5% të kufijve të Izraelit që nga viti 1949, sipas llogaritjeve të Financial Times.

Më shumë se gjysma e rreth 1.000 kilometrave katrorë ndodhet në Libanin jugor (rreth 576 kilometra katrorë), ku forcat izraelite kanë avancuar deri në dymbëdhjetë kilometra për të krijuar atë që zyrtarët izraelitë e quajnë “zonë sigurie”. Synimi i tyre është të zmbrapsin Hezbollahun, në mënyrë që organizata e armatosur ta ketë më të vështirë të lëshojë raketa antitank drejt komuniteteve kufitare të Izraelit.

Financial Times: Izraeli ka pushtuar dhe kontrollon 1.000 km katrorë në Gaza, Liban dhe Siri pas 7 Tetorit
Me ngjyrë të verdhë kontrolli izraelit në Gaza, me ngjyrë blu në Liban dhe me të kuqe në Siri

“Kjo zonë sigurie eliminon plotësisht kërcënimin e menjëhershëm të pushtimit dhe raketave kundër tankeve”, deklaroi Netanyahu muajin e kaluar. “Ata donin të na rrethonin me një unazë zjarri. Ne krijuam një unazë sigurie”.

Pjesa tjetër e territorit ndahet mes Gazës (rreth 206 kilometra katrorë), ku forcat izraelite kontrollojnë tashmë më shumë se gjysmën e enklavës palestineze, dhe Sirisë (rreth 233 kilometra katrorë), ku forcat izraelite shfrytëzuan rënien e regjimit të Assadit për të pushtuar pozicione disa kilometra brenda vendit.

Megjithatë, ndryshe nga Gaza dhe Libani, ku janë publikuar harta nga Izraeli, në Siri asnjë zyrtar izraelit apo sirian nuk ka deklaruar qartë pozicionin e trupave.

Në të tre territoret, forcat izraelite ushtrojnë gjithashtu kontroll mbi zona shtesë përmes sulmeve ajrore, artilerisë, operacioneve dhe arrestimeve.

Në Gaza, forcat izraelite imponojnë një zonë shtesë sigurie përtej të ashtuquajturës Vijë e Verdhë, e cila ndan pjesën e Gazës nën kontrollin izraelit nga ajo që kontrollohet ende nga Hamasi. Një zyrtar i OKB-së deklaroi se zona shtesë ka thellësi rreth 50-100 metra, duke e zvogëluar më tej enklavën dhe duke lënë 2 milionë banorët në rreth 40% të sipërfaqes së tyre të para luftës.

Në Libanin jugor, Izraeli vazhdon sulmet dhe u ka urdhëruar libanezëve të braktisin zonat në veri të pozicioneve të trupave të tij, me ministrin e Mbrojtjes Israel Katz që është zotuar të ruajë kontrollin mbi territore deri te lumi Litani.

Në Siri, forcat izraelite kanë kryer operacione përtej pozicioneve të tyre pranë kufirit, përfshirë një zonë të gjerë 50 kilometrash brenda territorit sirian. Financial Times llogariti praninë e vazhdueshme ushtarake të Izraelit duke hartëzuar bazat e konfirmuara të IDF në zonë, që mbulon rreth 233 kilometra katrorë, nga lartësia strategjike e Malit Hermon në veri deri te një bazë ushtarake siriane e braktisur në Maariya, më shumë se 70 kilometra në jug.

Izraelitët refuzuan të komentojnë llogaritjet, por deklaruan se trupat “janë të dislokuara në zona pranë kufirit dhe në zona të ndryshme operacionale”, duke shtuar se “dislokimi bëhet sipas udhëzimeve të udhëheqjes politike dhe vlerësimeve aktuale të situatës operacionale”.

Zyrtarët izraelitë kanë bërë të qartë se synojnë të mbajnë një zonë të përhershme sigurie në Gaza dhe kanë rrafshuar zona të mëdha përgjatë kufirit, por kanë dërguar mesazhe të ndryshme për Libanin.

Netanyahu deklaroi publikisht muajin e kaluar se forcat e tij “nuk po largohen”,ndërsa javët e fundit ushtria po rrafshon fshatra të tëra pranë kufirit në një operacion që Katz e krahasoi me “modelin në Gaza”.

Diplomatët theksojnë se privatisht, zyrtarë izraelitë, përfshirë ministrin e Jashtëm Gideon Saar, argumentojnë se Izraeli nuk ka ambicie territoriale në Liban.

Trending