Trendy

Nga Strasburgu, nënkryetarja Musa: Është koha që BE-ja të vlerësojë Maqedoninë e Veriut mbi bazën e meritave

Para 54 minuta

Nënkryetarja e VLEN-it dhe deputetja, Mimoza Musa, ka përcjellë një videomesazh nga Parlamenti Evropian në Strasburg, ku po qëndron në kuadër të programit European Union Visitors Programme (EUVP). Ajo tha se gjatë vizitës po përfaqëson zërin e Maqedonisë së Veriut në qendrat kryesore të vendimmarrjes evropiane, në Bruksel dhe Strasburg, përcjell tetova1

Sipas Musës, programi i ka mundësuar zhvillimin e takimeve me eurodeputetë nga grupe të ndryshme politike, si dhe me ekspertë që punojnë në hartimin e politikave të Bashkimit Evropian.

Ajo theksoi se në këto takime ka prezantuar përkushtimin e Maqedonisë së Veriut ndaj reformave, vlerave demokratike dhe harmonizimit me standardet evropiane, duke nënvizuar se anëtarësimi në Bashkimin Evropian mbetet interes strategjik dhe jetik për qytetarët e vendit.

Musa ritheksoi gjithashtu se Ballkani Perëndimor është një rajon me rëndësi të veçantë për Bashkimin Evropian dhe se integrimi i plotë i tij është i domosdoshëm për stabilitetin, sigurinë dhe paqen në rajon. Ajo kërkoi që Bashkimi Evropian të vlerësojë progresin e vendit mbi bazën e meritave reale, duke shtuar se Maqedonia e Veriut e meriton vendin e saj në familjen evropiane.

Në fund të mesazhit, nënkryetarja e VLEN-it theksoi se përvoja, sugjerimet dhe shkëmbimet me eurodeputetët dhe ekspertët evropianë do të jenë një vlerë e shtuar për punën e saj dhe se angazhimi për procesin e integrimit evropian do të vazhdojë me përkushtim.

“Të nderuar qytetarë, ju përshëndes nga Parlamenti Evropian këtu në Strasburg. Përmes European Union Visitors Programme (EUVP), këto ditë kam nderin të përfaqësoj zërin e Maqedonisë së Veriut në qendrat kryesore të vendimmarrjes evropiane, në Bruksel dhe Strasburg.

Ky program ka qenë një hapësirë e jashtëzakonshme për të zhvilluar një sërë takimesh të rëndësishme me eurodeputetë nga grupe të ndryshme politike, si dhe me ekspertë të fushave të ndryshme që punojnë për politikat e Bashkimit Evropian. Në secilin prej këtyre takimeve, kam shpalosur me vendosmëri të vërtetën mbi rrugëtimin tonë: Maqedonia e Veriut ka dëshmuar përkushtim të palëkundur ndaj reformave, vlerave demokratike dhe harmonizimit me standardet evropiane. Anëtarësimi ynë në BE është një interes strategjik dhe jetik i qytetarëve tanë!

Nga këtu, e ritheksova qëndrimin se Ballkani Perëndimor është arteria më e rëndësishme e BE-së. Integrimi i plotë i rajonit tonë është i domosdoshëm. Ai është një investim ekonomik afatgjatë dhe garancia e vetme për stabilitet, siguri dhe paqe në të gjithë rajonin. Tani është koha që edhe Bashkimi Evropian të dëshmojë kredibilitet, duke vlerësuar progresin tonë mbi bazën e meritave reale. Për ne ia VLEN të jemi pjesë e vlerës së çmuar të familjes evropiane!

Përvoja, sugjerimet dhe shkëmbimet me këta ekspertë dhe eurodeputetë janë një vlerë e shtuar për punën tonë në vend. Ne do të vazhdojmë të punojmë me dinjitet dhe profesionalizëm, duke punuar tani më fort në procesin e integrimit në BE, sepse Maqedonia e Veriut e meriton vendin e saj të barabartë në familjen evropiane”, ka përfunduar Musa./tetova1.mk

https://www.facebook.com/share/r/1FwPZudpL9/

Trending