Shtatë muaj pas vendimit të Gjykatës së Apelit për kthimin në rigjykim të lëndës “Besa Trans”, sot ka rifilluar procesi gjyqësor në Gjykatën Penale të Shkupit. Lënda ka të bëjë me tragjedinë e rëndë që ndodhi në Bullgari më 23 nëntor 2021, kur një autobus i kompanisë u aksidentua duke shkaktuar vdekjen e 45 personave, mes tyre edhe 12 fëmijë.
Bekim Haxhiu, pronari i kompanisë “Besa Trans”, vazhdon të jetë i akuzuari kryesor në këtë rast, me ngarkesën penale për falsifikim të certifikatës së licencës për transport ndërkombëtar. Ai më parë ishte dënuar me 20 muaj burg, ndërsa kompania me gjobë prej 13 mijë eurosh, por pas ankesës në Gjykatën e Apelit, rasti u kthye për rigjykim në dhjetor të vitit të kaluar.
Në seancën e sotme, të akuzuarit e mohuan fajësinë, duke qëndruar në qëndrimin e tyre se nuk ka ndodhur falsifikim. Sipas mbrojtjes, përdorimi i licencës së përgjithshme të kompanisë nuk përbën falsifikim, pasi ajo nuk është dokument i krijuar nga persona të jashtëligjshëm apo me përmbajtje të rreme.
Prokuroria nga ana tjetër mbetet në aktakuzën fillestare. Sipas saj, autobusi i përfshirë në aksident nuk ka pasur licencë të vlefshme për transport ndërkombëtar dhe nga janari deri në nëntor të vitit 2021, ka kaluar kufirin 20 herë me dokument të falsifikuar. Prokurori e konsideron përgjegjës Haxhiun, i cili dyshohet se përmes shoferëve të ndryshëm ka lejuar përdorimin e dokumentit të diskutueshëm për udhëtime në destinacione të ndryshme, përfshirë Stambollin, Prizrenin, Pogradecin dhe Tiranën.
Procesi gjyqësor ka hasur në vonesa dhe disa seanca janë anuluar që nga kthimi i lëndës nga Apeli. Seanca e radhës është caktuar për 22 shtator, në të cilën pritet të dëshmojnë përfaqësues të Ministrisë së Transportit dhe Doganave.
Tragjedia në Bullgari mbetet një nga më të rëndat në historinë e vendit, ku autobusi i kompanisë “Besa Trans”, që po kthehej nga një udhëtim turistik në Stamboll, u përplas në rrethojën mbrojtëse të autostradës Struma në afërsi të fshatit Bosnek. Përveç 45 viktimave, shtatë persona arritën të mbijetojnë.









