Trendy

Norvegji – Kirurgu lidhi zorrën e trashë të pacientes me vaginën – i kufizohet licenca profesionale

Para 4 orë

Pas një gabimi të rëndë mjekësor, autoritetet norvegjeze kanë reaguar ndaj një kirurgu në Sørlandet sykehus, i cili gjatë një operacioni lidhi gabimisht zorrën e trashë të një pacienteje me vaginën e saj.

Sipas raportimit të NRK, pas hetimeve të kryera nga Autoriteti Shtetëror i Mbikëqyrjes Shëndetësore, mjekut i është kufizuar autorizimi profesional për shkak të rrezikut që paraqiste për sigurinë e pacientëve.

Gabimi u zbulua pas tre muajsh

Rasti doli në pah pasi pacientja u rikthye në spital tre muaj pas operacionit, duke raportuar se nga vagina i dilnin jashtëqitje. Pas ekzaminimeve, u konstatua se kirurgu kishte krijuar gabimisht një lidhje mes zorrës së trashë dhe vaginës gjatë ndërhyrjes kirurgjikale.

Hetimi përfshiu gjithsej shtatë raste pacientësh. Dy prej pacientëve të kirurgut kishin humbur jetën pas operacioneve abdominale.

Kirurgu nuk ishte specialist i fushës

Sipas raportit, kirurgu i huaj kishte punuar për vite me radhë si mjek specialist në njësinë gastro-kirurgjikale në qytetin Arendal, megjithëse nuk ishte specialist i kirurgjisë gastrointestinale, por kirurg i përgjithshëm.

Autoritetet konstatuan se spitali ishte në dijeni të mungesës së specializimit të tij.

Mjeku kundërshton vendimin

Kirurgu ka reaguar ndaj vendimit të autoriteteve, duke deklaruar përmes një mesazhi se vendimi është “i padrejtë dhe i bazuar në informacione të pasakta”, ndërsa shtoi se çështja do të vlerësohet juridikisht.

Probleme serioze në sistemin shëndetësor

Raporti i inspektimit zbuloi mangësi serioze sistemike në shërbimet gastro-kirurgjikale të spitalit, duke theksuar mungesën kritike të stafit, mungesën e kompetencës profesionale dhe vështirësitë në rekrutimin e specialistëve.

Sipas autoriteteve norvegjeze, këto probleme kishin vënë në rrezik sigurinë e pacientëve.

Trending