Përfaqësuesi i Lëvizjes Arbëria, Orhan Ibrahimi, ka reaguar ashpër ndaj protestave të fundit dhe rolit të Bashkimi Demokratik për Integrim në to, duke akuzuar partinë e udhëhequr nga Ali Ahmeti për manipulim politik dhe “riciklim” të së kaluarës përmes nacionalizmit.
Në një status të publikuar në rrjetet sociale, Ibrahimi thotë se BDI po tenton t’i shndërrojë protestat në skenë politike, ndërsa akuzon partinë për korrupsion, klientelizëm dhe zhgënjim të shqiptarëve gjatë më shumë se dy dekadave në pushtet.
“Një parti që nuk ka guxim të pastrojë vetveten, nuk mund të pretendojë se do ta reformojë shoqërinë”, shkruan ai, duke shtuar se përgjegjësia politike në BDI duhet të nisë me largimin e Ali Ahmetit nga skena politike dhe me një autokritikë të sinqertë për qeverisjen 24-vjeçare.
Ibrahimi thekson se shqiptarët në Maqedoninë e Veriut ende përballen me padrejtësi kushtetuese, mungesë të barazisë dhe mohim të realitetit të tyre shtetformues, ndërsa opozitën e përshkruan si “ndërgjegje kombëtare”.
Në fund të reagimit, ai dërgon një mesazh të drejtpërdrejtë ndaj liderit të BDI-së: “Jo Ali, nuk të shpëton as kjo protestë, nuk ke të ardhme!”










