Trendy

Pritet shtyrje e EES! Kontrollet elektronike në kufij

Para 22 orë

Disa shtetet mesdhetare turistike do të pezullojnë përkohësisht EES si një sistem i ri digjital për kontrollin e hyrjes në zonën Shengen që përfshin marrjen e të dhënave biometrike nga pasagjerët, siç janë gjurmët e gishtërinjve dhe fotografimin.

Iniciativa vjen pasi qeveria greke ka vendosur tashmë të përjashtojë turistët britanikë nga kontrolli biometrik me hyrjen në vend, duke marrë parasysh se në vitin 2025 pothuajse 4.9 milionë turistë nga Mbretëria e Bashkuar vizituan Greqinë. Turistët britanikë i kushtojnë ekonomisë greke 3.5 miliardë euro në vit dhe Greqia me të drejtë ka vendosur të mos e rrezikojë këtë vetëm sepse Sistemi EES nuk po funksionon siç duhet. Shteteve anëtare u është dhënë e drejta e fleksibilitetit për të ndaluar përkohësisht zbatimin e sistemit EES për 90 ditë, me mundësinë e zgjatjes për 60 ditë të tjera, duke mbuluar praktikisht të gjithë sezonin. Kjo do të thotë që në shumë kufij, nëse është e nevojshme, kontrolli tradicional i pasaportave me vulosje manuale do të vazhdojë të përdoret në vend të regjistrimit të plotë biometrik (fotografim dhe marrje gjurmësh gishtash).Ekspertët e udhëtimit parashikojnë se Spanja, Franca dhe Kroacia së shpejti mund të miratojnë zgjidhje të ngjashme, duke shkaktuar potencialisht shembjen e plotë të kuadrit EES.

Gjithashtu sektori i turizmit në Maqedoni beson se ekziston një mundësi reale që Greqia të përfitojë nga rekomandimi i Komisionit Evropian, sipas të cilit çdo vend mund të pezullojë përkohësisht Sistemin e Hyrjeve-Daljeve (EES) në rastet kur kufijtë janë të mbingarkuar dhe sistemi funksionon ngadalë.

Kjo është pikërisht ajo që po ndodh tashmë në terren. Pritet që të merret një përgjigje pozitive nga institucionet kompetente greke në ditët në vijim edhe për turistët nga Maqedonia. Pasi Greqia e bëri këtë disa javë më parë, Italia dhe Portugalia ka të ngjarë të jenë të radhës që do të heqin kontrollet kufitare kontroverse të BE-së për turistët e Mbretërisë së Bashkuar në mënyrë që të shmangin kaosin total në kufij kur të fillojë sezoni turistik, sipas një numri mediash britanike.  Edhe punonjësit turistik në Maqedoni kanë kërkuar një javë ma parë që turistët nga Maqedonia të përjashtohen nga Sistemi i Hyrje-Daljes i Bashkimit Evropian (BE) pas hyrjes në Greqi, i cili kërkon marrjen e gjurmëve të gishtërinjve dhe skanimin e fytyrës për çdo udhëtar të vendit të tretë që hyn në zonën Shengen. Kjo kërkesë iu bë Ministrisë Greke të Turizmit nga Dhoma e Turizmit, e cila kërkoi në një letër që turistët maqedonas të përjashtohen nga kontrolli biometrik gjatë periudhës së verës.

Kryetari i Dhomës së Turizmit Arkan Kerim, tha se kërkesa është bërë sepse, sipas disa skenarëve për të cilët janë informuar, do të ketë një pritje të gjatë në pikat kufitare gjatë muajve të verës, duke marrë parasysh se një automjet me një familje prej katër anëtarësh kalon nëpër kontroll për rreth 10 minuta.

“Në koordinim me Dhomën e Tregtisë së Halkidikisë dhe Dhomën e Hotelierëve të Halkidikisë, jemi në komunikim me ta, morëm udhëzime për të kontaktuar Ministren Greke të Turizmit. I dërguam asaj një letër ku thuhej se ne, si vend fqinj, si popull fqinj, kërkojmë një përjashtim nga ky sistem gjatë periudhës së pikut të kësaj vere nga 1 qershori deri më 1 shtator”, tha Kerim. Ai shton ,se janë në komunikim të vazhdueshëm me dhomat e hotelierëve nga Halkidiki, të cilët gjithashtu shprehin shqetësim të madh dhe kërkojnë një shtyrje të zbatimit të këtij sistemi. Sipas tyre, nëse SEE zbatohet pa asnjë lehtësim në kulmin e sezonit të verës, kjo mund të shkaktojë vonesa të gjata në pikat kufitare dhe të ndikojë drejtpërdrejt në trafikun turistik. Në një rast të tillë, siç paralajmërojnë ata, turizmi në të gjithë Greqinë Veriore mund të rrezikohet.

Njëherësh mediat serbe raportojnë se nga 1 qershori deri më 30 gusht, sistemi i ri i hyrjes në Bashkimin Evropian – EES (Sistemi i Hyrjes/Daljes) do të pezullohet për qytetarët e Serbisë, do të zbatohet natën dhe nuk do të ndikojë në turma shtesë. Drejtori i JUTA-s apo Organiztës Turistike të Serbisë, Aleksandar Seniçiq, deklaroi së fundmi se Greqia i premtoi verbalisht delegacionit serb në një takim se sistemi EES nuk do të zbatohej plotësisht në kufij për qytetarët serbë gjatë sezonit turistik të verës. Ai deklaroi se janë ndërmarrë hapa konkretë dhe janë zhvilluar takime me përfaqësuesit grekë, dhe se do të ketë një takim të nivelit të lartë në Athinë në fund të majit, dhe më parë në Selanik me drejtorin e policisë kufitare, me qëllim arritjen e një marrëveshjeje për të hapur numrin maksimal të vendkalimeve dhe për të zgjeruar korsitë nga gjashtë në dhjetë, si dhe korsi shtesë për autobusët, me qëllim përshpejtimin e fluksit të pasagjerëve gjatë sezonit të pikut.

Sistemi EES u bë plotësisht funksional muajin e kaluar në 25 shtete të Shengenit, plus Islandën, Norvegjinë, Lihtenshtajnin dhe Zvicrën. I projektuar për të forcuar menaxhimin e kufijve të jashtëm, sistemi kërkon mbledhjen e të dhënave biometrike për shtetasit e vendeve të treta. Megjithatë, lançimi fillestar pati probleme të rënda teknike me shtetet anëtare që kishin mungesa të konsiderueshme të stafit, duke rezultuar në bllokime masive të aeroporteve.

Udhëheqësit e industrisë së udhëtimeve e kanë kritikuar ashpër iniciativën e BE-së. Drejtori Ekzekutiv i Ryanair, Neil McMahon, i kërkoi BE-së të pezullojë kontrollet deri në shtator, duke e përshkruar zbatimin e tyre si një sistem IT të papërfunduar të vendosur gjatë periudhës më të ngarkuar të udhëtimit. McMahon vuri në dukje se pasagjerët po përballen me radhë të gjata me orë të tëra dhe me humbje fluturimesh. Analistët sugjerojnë se nëse shumë shtete anëtare të BE-së i injorojnë kolektivisht kërkesat e EES, Komisioni Evropian do të ketë pak mundësi praktike, pasi përfitimet financiare të trafikut të qëndrueshëm turistik i tejkalojnë shumë çdo ndëshkim të mundshëm rregullator. Për momentin, Shoqata e Agjentëve Britanikë të Udhëtimit këshillon udhëtarët të përdorin aplikacionin celular EES për të pararegjistruar të dhënat aty ku sistemi mbetet aktiv. (koha.mk)

Trending