Në vitin 1967, Izraeli mposhti Egjiptin brenda 6 ditësh. A mund të bëjë Izraeli të njëjtën gjë me Turqinë? Presidenti egjiptian, Gamal Abdel Nasser, nuk i fshihte pikëpamjet e tij ndaj Izraelit. “Ne duam një betejë vendimtare për të asgjësuar atë mikrob, Izraelin!”- deklaroi / ai në korrikun e vitit 1959.
Vitin pasues, Radio Kajro transmetoi: “Po bëhemi gati për betejën vendimtare dhe, në momentin e duhur, do të godasim me fuqi dhe shpejtësi”. Ndërsa terrori sirian kërcënonte të linte në hije Nasser-in në mesin e viteve 1960, udhëheqësi egjiptian e dyfishoi retorikën e tij anti-izraelite.
Në mars të vitit 1965, 2 vjet para se Izraeli të pushtonte Bregun Perëndimor dhe Gazën, Nasser deklaroi: “Ne s’do të hyjmë në Palestinë mbi rërë, por në një tokë të ngopur me gjak. Në synojmë shkatërrimin e shtetit të Izraelit. Qëllimi i menjëhershëm është përsosja e fuqisë ushtarake arabe. Qëllimi kombëtar: çrrënjosja e Izraelit”- shpjegoi Nasser 8 muaj më vonë.
Kur Nasser mbylli Ngushticat e Tiranit dhe Kanalin e Suezit për anijet izraelite dhe mobilizoi ushtrinë e tij, izraelitët e kuptuan se kërcënimi i tij nuk ishte thjesht retorik.
Historianët dhe juristët debatojnë shpesh mbi kuptimin e “rrezikut të pashmangshëm”, por mbijetesa nuk duhet të jetë një problem akademik apo subjekt i një studimi se “çfarë shkoi keq” pas ngjarjes.
Armiqtë e Izraelit kanë pasur gjithmonë thellësi strategjike. Egjipti është rreth 40 herë më i madh nga sipërfaqja se Izraeli. Në pikën e tij më të ngushtë, Izraeli është më pak se nëntë milje i gjerë. Sot, historia duket se po përsëritet.
Ndërsa presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan kërkon të shmangë vëmendjen nga dështimi ekonomik dhe trazirat politike brenda vendit për të pretenduar një rol udhëheqës jashtë tij, ai ka rikthyer strategjinë e Nasser-it për shtimin e sulmeve ndaj Izraelit.
Ashtu si Nasser, edhe ai e ka shoqëruar retorikën e tij me një rritje masive të fuqisë ushtarake. Sot, Erdogan kërcënon hapur me luftë.
Kërcënimi turk
Ai ka kërcënuar se do të hyjë në Izrael ashtu siç bëri Turqia në Nagorno-Karabak. Forcat azere të mbështetura nga Turqia, e spastruan etnikisht të gjithë popullsinë, duke u prerë kokat të paktëve që zgjodhën të qëndronin në shtëpitë e tyre.
Këtë muaj, Ankaraja ka nisur zbatimin e një bllokade “të butë”, duke kërkuar që anijet që ankorohen në portet e saj të mos kenë asnjë lidhje me Izraelin. Më 10 prill, qeveria e Erdoganit paditi kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu për ndalimin e një flote që kërkonte të furnizonte Hamasin, duke kërkuar më shumë se 4.500 vjet burg.
Në prapaskenë, Turqia jo vetëm kërkon të rrisë aftësinë e Sirisë për të sulmuar Izraelin, por sipas profesionistëve të mbrojtjes dhe inteligjencës nga disa vende të rajonit ka zëvendësuar edhe Iranin si një linjë jetike shpëtimi për Hezbollahun.
Fabrikat turke të dronëve prodhojnë armatime që mund të mbingarkojnë mbrojtjen izraelite. Një shitje e mundshme e avionëve luftarakë F-35 nga administrata Trump drejt Turqisë mund të gërryejë avantazhin cilësor të Izraelit.
Ndërkohë, po afrohet gjithnjë e më shumë mundësia që Turqia të ndjekë rrugën e Iranit drejt zhvillimit të armëve bërthamore. Diplomatët mund të kërkojnë të minimizojnë tensionet, por për ata që jetojnë në rajon, realiteti vlen më shumë se dëshirat.
Turqia e vitit 2026 është ekuivalente me Egjiptin e 1966-ës. Diktatorët kërkojnë të ndezin furinë publike kundër shtetit hebre. Arsyet ideologjike, mbi të cilat nuk mund të ketë kompromis, e motivuan dikur Nasser-in dhe po ushqejnë sot urrejtjen e Erdoganit. Udhëheqësit izraelitë s’duhet të kenë asnjë iluzion se Erdogani nuk do ta vinte në zbatim retorikën e tij. Mosveprimi i SHBA-së pas dislokimit të fundit të avionëve F-16 të Erdoganit në Qipron Veriore të pushtuar, vetëm po e sa inkurajon liderin turk të besojë se mund t’ia hedhë pa pasoja.
Shtëpia e Bardhë duhet të jetë e shqetësuar
Shtëpia e Bardhë nuk duhet të ushqejë iluzione për atë që mund të pasojë. Më 5 qershor 1967, Izraeli nisi Operacionin “Focus”, duke shkatërruar forcën ajrore egjiptiane me mbi 300 avionë ende pa u ngritur nga toka.
Natyra e kërcënimeve ekzistenciale, kërkon shpesh masa të dëshpëruara. Thënë thjesht, nëse Izraeli ka frikë se fuqia ajrore, marina dhe kompleksi ushtarako-industrial i Turqisë përbëjnë kërcënim për ekzistencën e tij, atëherë Jerusalemi nuk do të ketë zgjedhje tjetër veçse të nisë një “Operacion Focus” të ri për të parandaluar rrezikun.
Ushtria e Nasser-it në vitin 1967, ishte ekuivalente me atë të Erdoganit sot: e madhe në numër, por e mbivlerësuar. Edhe spastrimet ideologjike të Erdoganit kanë gjithashtu aftësitë reale të forcave turke. Për shkak të paranojës që rrethon udhëheqjen turke, Forca Ajrore Izraelite ka mundësi t’i koordinojë operacionet e saj në kohën kur Erdogan largohet nga vendi për vizita jashtë shtetit.
Erdogan mbështetet te liderë të nivelit të dytë si ish-shefi i inteligjencës Hakan Fidan dhe pasardhësi i tij Ibrahim Kalin, por ata janë sa rivalë, aq edhe aleatë midis tyre. Goditja e njërit ose e të dyve, do të thellonte vakumin e pushtetit në Ankara.
Po çfarë mund të bëjë Izraeli?
Izraeli mund të godasë avionët turq F-16 dhe mjetet e tjera fluturuese në bazat e Qipros Veriore, Incirlik, Izmir, Diyarbakir dhe në disa qytete të tjera strategjike. Me shumë mundësi avionët luftarakë izraelitë do të shënjestronin bazën kryesore të Marinës Turke në Gölcük, si dhe ato në Aksaz, Foça dhe Iskenderun, në rajonin e Hatay-it.
Për të penguar reagimin dhe rimëkëmbjen e Turqisë, Izraeli duhet të shënjestrojë gjithashtu fabrikat e Industrisë Turke të Hapësirës Ajrore (TUSAŞ), ku prodhohet pjesa më e madhe e armëve. Po ashtu, duhet të goditen selia e kompanisë Baykar, personeli dhe fabrikat e saj për shkak të rolit kyç në prodhimin e dronëve Bayraktar TB2 dhe Akinci.
BMS Savunma, me bazë në Ankara, e cila prodhon dronë vëzhgimi, mund të ishte gjithashtu një objektiv. Ka shumë të ngjarë që sistemet turke të radarëve dhe mbrojtja kundërajrore do të eliminoheshin që në minutat e para të operacionit.
Po NATO?
Turqia mund të besojë se është e sigurt nën mburojën e NATO-s, por kjo nuk është domosdoshmërisht e vërtetë. Neni V i Traktatit të Atlantikut të Veriut – klauzola e mbrojtjes kolektive – është plot me paqartësi. Se çfarë cilësohet saktësisht si “sulm i armatosur”, kjo mbetet e hapur për diskutim, sidomos nëse anëtarët e tjerë të NATO-s i shohin si provokim kërcënimet paraprake të Erdoganit.
Për shkak se NATO operon me konsensus, çdo anëtar mund të bllokojë aktivizimin e Nenit V, duke ua “kthyer kusurin” turqve, që kanë përdorur prej kohësh veton dhe kërcënimet për të bllokuar aleancën për avantazhet e tyre materiale dhe diplomatike.
Nga keq në shumë më keq
Natyrisht, Izraeli do të duhej të përgatitej për një përgjigje të fuqishme turke. Por, nëse lufta mes Turqisë dhe Izraelit shihet si e pashmangshme, parandalimi bëhet gjithnjë e më i nevojshëm, në mënyrë që Jerusalemi të përcaktojë kohën e sulmit dhe të pozicionohet për avantazh maksimal.
Duke pasur parasysh se në dallim nga Egjipti, Turqia nuk kufizohet me Izraelin dhe se komuniteti ndërkombëtar do të bënte thirrje të menjëhershme për qetësi, Izraeli mund të kopjojë një strategji të vjetër: të sulmojë dhe pastaj të kërkojë armëpushim.
Në një rast të tillë, Marina e SHBA-së mund të vendosej në Mesdheun Lindor për të garantuar ngrirjen e konfliktit.










